Ish-sulmuesi i Skënderbeut drejt transferimit te Fenerbahce
Vedat Muriqi ka zhvilluar një sezon fantastik me Fenerbahcen dhe për këtë arsye ka përfunduar në radarët e shumë klubeve të mëdha europiane, mes tyre edhe Lazio e Tottenham.
Gjasat janë që kosovari t’i japë lamtumirën verdhezinjëve nga Stambolli në merkaton e kësaj vere dhe Fenerbahce ka nisur që tani të mendojë për zëvendësuesin e tij.
Mediat turke raportojnë lajmin e bujshëm se drejtuesit e skuadrës nga Stambolli interesohen për ish-sulmuesin e Skënderbeut Ali Sowe. Bomberi nga Gambia i cili aktualisht aktivizohet te CSKA-ja e Sofjes në Bullgari pëlqehet shumë nga Fenerbahce pasi ka karakteristikat e duhura për të zëvendësuar Muriqin.
Nga shitja e ish-sulmuesit të Teutës dhe Besës, Fenerbahce pritet të përfitojë miliona euro dhe blerja e 25-vjeçarit Sowe që në transfermarkt vlerësohet 2 milionë euro nuk do të jetë aspak problem për klubin turk.