
Ish-mesfushori i Liverpoolit dhe Arsenalit, Jermaine Pennant, është sulmuar nga një qen i racës pastor gjerman teksa shëtiste në një park në veri të Londrës. 43-vjeçari ka marrë 50 qepje, ndërsa në ndihmë i ka ardhur qeni i tij i racës Akita, i cili arriti të largonte kafshën sulmuese.
Ngjarja ndodhi javën e kaluar, kur Pennant po shëtiste dy qentë e tij. Në një moment, një pastor gjerman iu vërsul dhe e kafshoi në këmbë, duke mos e lëshuar për disa çaste. Në ndihmë të ish-futbollistit ndërhyri qeni i tij, King, i racës Akita, i cili u përball me pastorin gjerman dhe arriti ta largonte, duke shmangur pasoja edhe më të rënda.
Pennant përfundoi me 50 qepje, ndërsa qeni i tij shpëtoi pa dëmtime serioze, përveç një kafshimi të vogël në putër. Përmes një postimi në Instagram, ish-futbollisti rrëfeu momentet e frikshme dhe tregoi se si qeni i tij i doli në mbrojtje.
“U përpoqa të mbroja King, por qeni më kafshoi në këmbë. Përfundova përtokë, me kafshën të kapur pas meje dhe pa asnjë qëllim për të më lëshuar.
King ndërhyri sapo kuptoi se çfarë po ndodhte. Ai u përball me qenin tjetër dhe shmangu më të keqen. King mbeti i padëmtuar, përveç një kafshimi të vogël në putër, por ishte i mbuluar me gjak që nuk ishte imi.
Në atë moment harrova dhimbjen e fortë që po ndieja. Zemra m’u fundos, por fatmirësisht gjaku nuk ishte i King”, shkroi Pennant.
Ish-mesfushori anglez, i cili gjatë karrierës së tij luajti për klube të njohura, përfshirë Liverpoolin dhe Arsenalin, i dha fund karrierës si futbollist në vitin 2018.

