Ismajli: Jemi gati të japim gjithçka në derbin ndaj Juventusit
Torino barazoi 2-2 ndaj Pisës në një ndeshje të luftuar të Serie A, ku mbrojtësi shqiptar Ardjan Ismajli ka folur për mediat.
“Pjesa e parë ishte argëtuese për tifozët, por jo për ne,” – tha Ismajli. “Luajtëm keq për rreth 30 minuta dhe pësuam dy gola që mund t’i kishim shmangur. Gjithsesi, ishte e rëndësishme të reagonim dhe e bëmë – arritëm të barazonim dhe në fund e kishim ndeshjen në kontroll. Serie A nuk është e lehtë, por tani duhet të shmangim gabimet.”
Duke analizuar golin e parë të pësuar, ai shtoi: “Pësuam shumë kundërsulme dhe unë vetë bëra një gabim që çoi në gol. Falënderoj tifozët që na mbështetën edhe kur ishim në disavantazh 0-2. Reaguam si skuadër dhe tani shikojmë përpara.”
Në fokusin e Torinos tashmë është derbi i qytetit ndaj Juventusit, që do të zhvillohet të shtunën. “Për mua është derbi i parë,” tha mbrojtësi kuqezi. “Do të hyjmë në fushë për të bërë më të mirën tonë. E dimë çfarë do të thotë ky takim për tifozët, dhe jemi gati të japim gjithçka. Ata do të na mbështesin fuqishëm, dhe shpresojmë t’u dhurojmë një rezultat pozitiv.”
KOHA JONË SONDAZH

