Ismajli: Vendos trajneri, ne jemi ushtarët dhe bëjmë punën që na takon!
Ardjan Ismajli është kthyer në një nga pikat e sigurisë së mbrojtjes kuqezi. Gjatë fitores ndaj Kosovës, mbrojtësi demonstroi edhe njëherë se është i pakalueshëm në prapavijë. Në intervistën e dhënë pas ndeshjes, ai u shpreh se nuk kishte rëndësi se cila kombëtaret fitonte, ndërkohë rrëfeu se kishte përjetuar emocione të përziera.
“Për fat të mirë kam kaluar gjithçka, kam kaluar periudhën e vështirë që humba ndeshjet e shtatorit e tetorit, jam rikthyer në këto dy ndeshje, mbetet të gjej përsëri formën. Ndiej emocione të përziera, atje jam lindur e rritur, atje është shteti im, më mirë të ishte publiku, nuk kishte rëndësi se kush fitonte, shërbeu për të rinjtë që provuan të dy ekipet.
Ndihem shumë mirë me këdo që luaj, këta të rinj kanë të ardhme shumë të madhe përpara. Disa janë 17 e 18 dhe e ardhmja është për ata, do t’i përkrahim gjithmonë. Nuk mendoj se ka ndeshje të lehta, sepse kemi humbur pikë, por duhet që të rikuperojmë pikët, duhet të fitojmë me patjetër sfidat që të dalim para, mendoj se jemi më të mirë se të gjithë në grup, por duhet që ta tregojmë në fushë.
Skema? Edhe sot luajtëm me 3-5-2. Dua të them se është trajneri ai që vendos, të luajmë me tre apo me katër, ai e di më mirë. Ne jemi ushtarët dhe çfarë të na thotë do të bëjmë punën që na takon”, deklaroi Ismajli pas vëllazërores.