Jankto tërhiqet nga futbolli në moshën 29-vjeçare: Dua të qëndroj më shumë me djalin!
Ish-mesfushori i Cagliarit, Jakub Jankto, ka njoftuar zyrtarisht tërheqjen nga futbolli profesionist. Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet e tij sociale, lojtari çek shpjegoi arsyet që e çuan drejt këtij vendimi të papritur.
“Kam marrë shumë mesazhe për të ditur nëse do të vazhdoj karrierën time si futbollist. Për fat të keq, përgjigjja është jo. Arsyeja është e thjeshtë: kam pësuar një dëmtim shumë serioz, këputje totale e ligamentit të kyçit të këmbës. Po përpiqesha ta tejkaloja për t’u rikthyer dhe për të luajtur gjatë gjithë sezonit, por nuk munda”, shkroi Jankto.
Përveç dëmtimit, futbollisti theksoi se vendimi u ndikua edhe nga dëshira për të kaluar më shumë kohë pranë djalit të tij, David, i cili është gati gjashtë vjeç.
“Pika kyçe është djali im, dua të jem më pranë tij, prandaj kam vendosur të zhvendosem në Pragë. Faleminderit të gjithëve që më kanë mbështetur, e vlerësoj shumë”, shtoi ai.
Ky vendim shënon fundin e karrierës së një lojtari që ka luajtur në disa klube europiane dhe ka qenë pjesë e kombëtares çeke.
KOHA JONË SONDAZH

