Java e 22-të e Superiores, përzgjidhet formacioni më i mirë
Pas përfundimit të javës së 22-të të kampionatit kombëtar të Kategorisë Superiore, trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave kanë përzgjedhur formacionin dhe trajnerin më të mirë të javës, duke respektuar skemën taktike 4-3-3 dhe duke vlerësuar performancat individuale dhe kolektive të lojtarëve gjatë ndeshjeve të zhvilluara.
Portieri më i mirë i javës është vlerësuar Igor Aleksovski i Flamurtarit. Gardiani i skuadrës vlonjate spikati me pritjet e tij vendimtare, duke mbajtur portën të paprekur në sfidën ndaj Vorës. Në repartin e mbrojtjes janë përzgjedhur Andrey Yago (Vllaznia), Faton Neziri (Dinamo City), Aurel Marku (Bylis) dhe Marjus Kola (Partizani), të cilët u dalluan për paraqitjet e tyre të qëndrueshme dhe kontributin në fazën mbrojtëse. Mesfusha përbëhet nga Sherif Kallaku (Vllaznia), Rafael (Tirana) dhe Klaus Kashari (Vora), që luajtën rol kyç në organizimin e lojës dhe ekuilibrin e skuadrave përkatëse.
Në repartin sulmues janë përzgjedhur Xhonatan Lajthia (AF Elbasani), Xhuliano Skuka (Partizani) dhe Serge Tabekou (Tirana). Në ndeshjen Partizani-AF Elbasani, e përfunduar në barazim spektakolar 2-2, Lajthia ishte protagonisti absolut me dy gola të shënuar, ndërsa Skuka realizoi për skuadrën kryeqytetase.
Trajneri më i mirë i javës së 22-të është shpallur Ardijan Nuhiu i Tiranës. Tekniku bardheblu ka rikthyer ekipin te rezultatet pozitive, me Tiranën që regjistron tre fitore dhe një barazim në katër ndeshjet e fundit të kampionatit.
KOHA JONË SONDAZH


