Java e 23-të e Superiores/ Fitojnë Egnatia, Vllaznia, Elbasani dhe Partizani

Java e 23-të e Kategorisë Superiore solli emocione dhe rezultate të rëndësishme në garën për kreun dhe mbijetesën. Egnatia u rikthye te fitorja pas katër javësh pa triumf, duke marrë tre pikë të arta në transfertë përballë Flamurtarit.

Kampionët në fuqi fituan minimalisht 1-0 në Vlorë, falë një goli të Bakayokos në fillimin e pjesës së dytë. Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa në të dytën Flamurtari u përpoq të reagonte, por mbrojtja e rrogozhinasve rezistoi deri në fund. Me këtë sukses, Egnatia konsolidon vendin e tretë me 42 pikë, ndërsa Flamurtari mbetet në fundin e tabelës me 19 pikë.

Spektakël dhe përmbysje u regjistruan në Elbasan, ku vendasit mposhtën Teutën 2-1. Pas një pjese të parë pa gola, durrsakët kaluan në avantazh në minutën e 69-të me një supergol të Goncalves. Por reagimi i Elbasanit ishte i menjëhershëm.

Swiss Digital Desktop Reklama

Insa Boye, i futur nga stoli, barazoi në minutën e 74-t dhe vetëm një minutë më pas shënoi edhe golin e fitores, duke e kthyer debutimin e tij në një ditë perfekte. Me këtë fitore, Elbasani ngjitet në vendin e dytë me 42 pikë, ndërsa Teuta renditet e gjashta me 27 pikë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Konfirmohet forma e shkëlqyer e Vllaznisë dhe rikthehet te fitorja edhe Partizani. Shkodranët morën suksesin e gjashtë radhazi, duke mposhtur Vorën me rezultatin minimal 1-0. Ndeshja nuk u zhvillua në stadiumin “Loro Boriçi”, pasi në dy fazat e para përballjet mes dy skuadrave ishin luajtur në Shkodër, për shkak se vorakët nuk kishin ende gati impiantin e tyre.
Sfida u vendos nga një gol i Sherif Kallakut në minutën shtesë të pjesës së parë, që rezultoi vendimtar për tri pikët e radhës.

Ndërkohë, në stadiumin “Adush Muça” të Ballshit, Partizani arriti një fitore të rëndësishme me përmbysje ndaj Bylisit, 2-1. Vendasit kaluan të parët në avantazh në minutën e 30-të me golin e Jaques Sandeu, duke mbyllur pjesën e parë në epërsi. Në fraksionin e dytë, të kuqtë reaguan fuqishëm. Rrok Toma barazoi shifrat në minutën e 81-të, ndërsa Lancaster Human shënoi golin e fitores në minutën e parë shtesë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se me 10 shkurt demokratët do të qëndrojnë në Shesh?