Jo pushim për futbollin, 1 janari nis me sfida
Futbolli nis me marshin e pestë, për të rikuperuar ditët e humbura për shkak të pandemisë. Përjashtim si çdo herë bën vetëm Premier League, ndërsa kampionatet e tjera si Seria A, La Liga, por edhe Bundesliga do ta nisin shumë shpejt. 1 janari rezervon dy përballje interesante në kampionatin anglez me Everton-in e pretendimeve të mëdha që pret West Ham, ndërsa Manchester United luan në Old Traford me Aston Villa-n.
Më shumë përshtypje padiskutim bën Bundesliga, kampionati gjerman që zakonisht nis në fund të janarit, por këtë vit do të zbresë në fushë nga 2 janari. Dortmund dhe Bayern, dy skuadrat pretendente për titull i luajnë ndeshjet e tyre një ditë më vonë, me 3 janar. Po me datë 2, do të nisë edhe La Liga. Që të shtunën do të impenjohet Real Madrid, skuadra ”galaktike” që 2020 e mbylli me një barazim kundër Elche-s.
Një ditë pas Bundesligës dhe La Ligës, me 3 janar, do të nisë Seria A për vitin 2021. Të dielën 20 skuadrat e Seria A do të zhvillojnë javën e 15 të kampionatit, me Milanin kryesues që ka një transfertë të lehtë në letër kundër Benevento-s. Sakaq Interi i vendit të dytë në orën 12:30 pret Crotone-n në San Siro, ndërsa në darkë Juventus synon tre pikët kundër Udinese-s.