Jonuz “mban premtimin”, largohet papritur nga Vllaznia

Vllaznia fitoi pa shumë probleme në ndeshjen e fundit përballë Flamurtarit në Vlorë, në ndeshjen e parë të rikthimit pas pandemisë, duke ulur tensionet në klub pas bojkoteve disaditore për mos marrjen e pagave.

Trajneri Mirsad Jonuz kishte udhëtuar për në atdheun e tij, Maqedoninë e Veriut, prej ku ka njoftuar sot drejtuesit e klubit shkodran për dorëheqjen nga posti që mbante. Vendimin për largimin, trajneri Jonuz e ka komunikuar nëpërmjet një letre për drejtuesit e klubit dhe veçanërisht administratorin Suad Lici, ndërsa shkak duket se është bërë përfundimi i kontratës së tij me shkodranët.

Trajneri nga Maqedonia e Veriut kishte një kontratë të vlefshme deri më 31 maj me klubin e Vllaznisë, por mungesa e një oferte për rinovim dhe problemet me dhënien e pagave bëri që ai të merrte vendimin për largimin. Në ndeshjen e ardhshme përballë Laçit, ekipin do ta drejtojë zv.trajneri Safet Osja deri në gjetjen e një trajneri të ri.

SHKARKO APP