Josa: Kukësi luan drejt deri në fund, unë bardheblu jam! Pozicioni i Eze? Ishte flagrant

Kukësi u ndal në barazim me Tiranën dhe trajneri Mirel Josa e kishte thënë para ndeshjes që tre pikët ishin ato që u bënin punë. Tekniku i skuadrës verilindore, në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport u shpreh:

“Për mënyrën se si përfundoi mund të quhet rezultat i mirë. Skuadra luajti si desha. Tirana na vuri në vështirësi me Torassa e Cale në pjesën e parë. Ata kapën zonën para mbrojtësve shumë mirë. Patëm probleme, por e ekuilibruam lojën jo vetëm me shënimin. Po sulmonim dhe kundërsulmonim.

Kam pretendime për pozicionin jashtë loje të Eze, isha vetë në vijë dhe nuk kam nevojë ta shoh as në TV. Ishte një rast flagrant, por anësori kishte mendim tjetër. Në pjesën e dytë bëmë rotacion të dyja skuadrat. Goli i dytë u pësua në një moment kyç, nuk kishim ekuilibër. Jam i kënaqur me barazimin, pasi ishin pak minuta pas përmbysjes. Nëse më pyesnit para ndeshjes nuk do isha”.

“Nuk mendoj për Europën, por ndeshjen e radhës, të luajmë futboll drejt. Kjo është e rëndësishme. Në dy ndeshjet e fundit kemi një përmirësim të lojës”, shtoi trajneri i Kukësit, Mirel Josa. Në studio iu rikthyen diskutimit të pozicionit jashtë loje.

“Isha i bindur që nuk ishte, Eze veproi mirë dhe e kapëm Tiranën keq. Ishte rasti më flagrant dhe mund të shkonte 2-0. Që në pushim fola me arbitrin. Për Tiranën do të bëhej më e vështirë nëse shënonim”.

“Golat e pësuar? Kur skuadra mendon për sulmin, mendojnë të gjithë. Problemi është e ekuilibri, sidomos te goli i dytë. Duhet vlerësuar edhe Tirana si luan, sidomos kur ishte me tre në mbrojtje. Ndodhin në futboll këto, por duhet vëmendje. Lojtarët e mi e morën pak me frikë. Kotobelli ishte mirë në mbrojtje, por patëm probleme djathtas. Duhet iniciativë, lojtarëve nuk u vë limite për daljet me top”.

“Motivimi në vazhdimësi? Lojtarët më shohin në sy dhe ata që luajnë dhe stërviten me mua do të jenë të motivuar. Do japim maksimumin me çdo skuadër. Nëse ndodh, do jetë përgjegjësia ime. Askush nuk ka lëshuar me ne”.

“Nuk më intereson pjesa e ish-it. Unë bardheblu jam sërish. Unë merrem me skuadrën time, ndërsa sa i takon gabimeve të arbitrave nuk janë të parat kundër nesh”, përfundoi trajneri Josa.

SHKARKO APP