Jurgen Klopp në krye të Romës? Vjen reagimi nga agjenti i trajnerit
“Jurgen Klopp ka thënë ‘po’ për të marrë drejtimin e Romës”. Kjo ishte bomba që hodhi në qarkullim të hënën gazeta prestigjioze italiane “La Stampa”, duke tronditur opinionin sportiv dhe tifozët verdhekuq, të cilët nisën të ëndërronin trajnerin legjendar në pankinën e skuadrës kryeqytetase.
Sipas burimit, pronarët Friedkin i kishin bërë një ofertë zyrtare gjermanit mbrëmjen e 18 majit, pas përfundimit të ndeshjes kundër Milanit.
Por entuziazmi nuk zgjati shumë. Vetëm pak orë më vonë, agjenti i Klopp, Marc Kosicke, hodhi poshtë gjithçka duke folur për median arabe “winwinallsports”.
“Kam lexuar lajmin që Klopp do të bëhet trajner i Romës, por nuk ka asgjë të vërtetë në këtë,” deklaroi shkurtimisht ai.
Fjalët e Kosicke përfaqësojnë një goditje të fortë për shpresat e tifozëve romanistë, të cilët kishin filluar të besonin në këtë skenar pas disa sinjaleve në rrjetet sociale dhe një video të shpërndarë nga pronarët Friedkin që u interpretua si një “indeks” drejt ardhjes së Klopp. /R.Lika-Koha Jonë/
