Juve dhe Barcelona në pritje dy të biletave të fundit, Champions në fokusin e trajnerëve

Sot në mbrëmje do të zgjidhen dy enigmat e fundit të fazës së 1/8, ku edhe do të përcaktohen skuadrat çerek-finaliste, të cilat do të kenë kështu të drejtën për të vijuar pas katër javësh aventurën e tyre në  Champions League. Dueli anglo – spanjoll, Barcelona – Manchester City, si  dhe dueli gjermano-italian, mes Borusias së Dortmundit e Juventus priten me interes për faktin se kualifikimi mbetet i hapur. Një natë më parë Ateltiko Madrid fitoi ndaj Bajer Leverkusen 1-0, me një gol në pjesën e parë dhe pas kohës shtesë, e gjuajtjeve të 11-metërshave, spanjollët, nën-kampionë Europe, kaluan më tej. Arsenali fitoi 2-0 në fushë të Monakos, por e humbi ndeshjen e parë 3-1 në Londër dhe për një gol në fushë kundërshtare humbi të drejtën të avanconte më tej. Reali i Madridit, Porto, Bajern Mynih, PSG, janë katër ekipet e tjera çerekfinaliste që u përcaktuan gjatë javës së kaluar. Para se të vendosen sonte në mbrëmje, ora 20:45, mbi dy ekipet e tjera çerekfinaliste, trajnerët e Borussias, Juves, Barcelonës dhe të Manchester Siti duken optimistë:

Klopp: Juve si ekip italian, kënaqet me barazimin

Jurgen Klopp e cilëson një sfidë të madhe faktin se skuadra e tij duhet të përmbysë disfatën e ndeshjes së parë në “Juventus Stadium”, 2-1, për të siguruar biletën e çerekfinales. Pavarësisht dy golave të pësuar nga skuadra e Allegrit, trajneri gjerman kërkon maksimumin nga Borussia e Dortmundit për të vazhduar rrugën në Europë.   – “Për të arritur çerekfinalen duhet të dhurojmë një performancë jashtë normales. Një gjë të tillë nuk e bëmë në ndeshjen e parë. Kemi përpara një nga sfidat më të mëdha të futbollit që do të thotë se duhet të fitojmë ndaj një ekipi italian që mund të kënaqet edhe me barazimin.”  Një qëndrim thumbues nga Klopp, i cili kërkon të nxisë Juventusin për të luajtur hapur në “Signal Iduna Park” megjithëse  trajneri gjerman preferon të shpëtojë diçka nga ndeshja e parë.  -“Nëse humbja jashtë fushe është opsion i vetëm, atëherë mund të them që dëshiroj të humbas 2-1 prandaj mendoj se jemi në pozitë të mirë dhe tashmë na takon ne t’i japim drejtim kësaj përballjeje. Juventusi është një ekip i organizuar dhe me disiplinë, por jo i pakalueshëm.”  Klopp karikon ekipin duke kërkuar të largojë kritikat nga djemtë e tij.  – “Ne jemi një ekip që dimë të shënojmë. Dy javë më parë njerëzit thoshin se e dogjëm Schalke, ndërsa tani që kemi dy ndeshje pa bërë gol thonë se jemi sërish në krizë. Është shumë e lehtë të flasësh në këtë mënyrë. 

Swiss Digital Desktop Reklama

Pa Pirlon, Allegri: duhet të shënojmë me çdo kusht

Swiss Digital Mobile Reklama

Juventus kërkon rikthimin mes tetë të mëdhave të Europës, por për të arritur objektivin duhet të mbrojë fortë epërsinë 2-1 të ndeshjes së parë, përballë një muri verdhezi si ai i "Signal Iduna Park" por dhe kundër një skuadre, që në vitet e fundit ka më shumë përvojë se bardhezinjtë në këtë kompeticion. Për këtë arsye çdo gol merr vlerë dyfish në këtë transfertë dhe këtë Allegri e di mirë: – “Do të jetë një ndeshje e bukur, shpresoj të gabohem por vështirë se do të përfundojë 0-0 ndaj duhet të shënojmë me çdo kusht. E njohim forcën e Borusias, ka cilësi dhe di si të vendosë në vështirësi. Për këtë arsye duhet të luajmë mirë teknikisht dhe të godasim pikat e dobëta të kundërshtarit. Ne dëshirojmë dhe duhet të vazhdojmë rrugëtimin tonë në Champions.”   Pa Pirlon e dëmtuar, Allegri do të hedhë nga minuta e parë Marchision, ndërkohë në sulm Tevez duhet të ketë në krah Morata. I vetmi dyshim i trajnerit lidhet me skemën e lojës, mbrojtje me 3 lojtarë, apo rreshtim 4-3-1-2, me Pereiran e avancuar? Allegri nuk i zgjidh enigmat as në sallën e konferencave: “Do të vendos vetëm në momentet e fundit nëse do të luajë me 3 apo 4 mbrojtës. Barzagli po kalon një moment të mirë, në Palermo luajti shumë mirë megjithatë kushdo që do të zbresë në fushë jam i sigurtë se do të japë maksimumin.” – theksoi ai.

Pellegrini: Jemi të aftë, ta përmbysim Barçën

Rreziku më i madh në "Camp Nou" e ka emrin Lionel Messi, por Pellegrini beson se katalanasit kanë një grup të plotë me lojtarë të këtij kalibri. Trajneri i Manchester City, Manuel Pellegrini zgjedh të flasë fillimisht për kartonin e kuq të marrë në Angli që sipas tij e penalizoi shumë ekipin në atë humbje, por gjithsesi beson se sot në Kamp Nou skuadra e tij mund të përmbysë shifrat. -“Duhet të luajmë siç bëmë në pjesën e dytë dhe madje një gjë të tillë e bëmë me 10 lojtarë. Gjithsesi, nuk dua të ankohem për kartonin e kuq sepse ishte i gjithi faji jonë. Edhe me 11 lojtarë kundër Barcelonës është e vështirë, prandaj në këtë ndeshje dua ta kem skuadrën të plotë. Kjo është një ndeshje e rëndësishme për klubin dhe tifozët tanë. Sipas logjikës, humbja e parë na i bën punën shumë të vështirë pasi kemi përballë edhe një prej skuadrave më të mira të Europës por ne do të japim maksimumin për të shkuar përpara.” – shprehet Pellegrini. Rreziku më i madh në “Camp Nou” e ka emrin Lionel Messi, mbi ambiciet e kualifikimit për anglezët,  por Pellegrini beson se katalanasit kanë një grup të plotë me lojtarë të këtij kalibri. – “E njohim të gjithë Barcelonën. Messi po luan shumë mirë por ata kanë lojtarë të tjerë shumë të rrezikshëm. Duhet ta gjejmë golin sa më shpejt dhe të kërkojmë ta fitojmë këtë ndeshje sepse në Europë për të pasur sukses duhet të kalosh edhe kundërshtarë të këtij niveli". Trajneri kilian i Manch Siti përqendrohet te momenti  i skuadrës së tij.  – “Jemi ende në vendin e dytë të Premier League, por nuk mendoj se vendi im i punës është në rrezik. Nuk kam aspak presion dhe jam i përqendruar vetëm te futbolli i luajtur pasi kam ende edhe disa vjet në kontratë.” – theksoi Pellegrini.

Enrique:  Kemi nevojë për dy fitore radhazi, ndaj Sitit e Realit   

Trajneri i Barcelonës Luis Enrique kërkon nga djelmoshat e tij t’i fitojnë dy ndeshjet e kësaj jave, ndaj Manchester Cityt, sot mbrëma në Ligën e Kampionëve për një vend në çerekfinale të këtij kompeticioni si dhe ndaj Real Madridit në “El Clasico” e së dielës, që do të luhen në “Camp Nou”. -“Mendoj se kemi nevojë për fitore dhe të luajmë mirë në të dyja ndeshjet e kësaj jave. Ne do të shkojmë në El Clasico si liderë dhe në një formë perfekte. Mirëpo, së pari duhet të fokusohemi tek City, sepse e duam kualifikimin. Më pas, do të shohim se çka do të ndodh në fundjavë”, deklaroi trajneri spanjoll. Barcelona e tij e fitoi ndeshjen e parë në Angli 2-1 dhe mund të mjaftohet edhe me një barazim, sikurse një rezultat i tillë, përveç faktorit fushë që e favorizon, e mban Barcelonën edhe ndaj Realit në përballjen e së djelës në vendin e parë të kampionatit spanjoll.  

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?