Juventus bën gati ankesën në AIA për gabimet e arbitrave këtë sezon
Te Juventusi atmosfera mbetet e ngarkuar, mes luftës për një vend në Champions League dhe polemikave që po shoqërojnë javët e fundit jashtë fushës. Klubi bardhezi ka kërkuar zyrtarisht qartësi nga sektori i arbitrimit për disa vendime të diskutueshme, të cilat sipas mediave italiane, në veçanti Tuttosport, kanë ndikuar drejtpërdrejt në renditjen e kampionatit.
Episodi më i fundit lidhet me penalltinë e padhënë në ndeshjen kundër Lazios, pas ndërhyrjes së Gilas ndaj Cabal, një rast i shtuar në një sërë episodesh të kontestuara gjatë sezonit. Megjithatë, Juventusi ka zgjedhur një qasje të matur, duke preferuar dialogun me Shoqatën Italiane të Arbitrave (AIA), pa kërkuar përplasje apo polemika publike.
Drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” presin sqarime nga sektori i arbitrimit pranë Federatës Italiane të Futbollit, i drejtuar nga ish-gjyqtari i njohur Gianluca Rocchi, për një seri vendimesh që, sipas klubit, kanë pasur një ndikim negativ në ecurinë e skuadrës në një moment delikat të sezonit.
Me sezonin që hyn në fazën vendimtare, çdo pikë merr peshë specifike dhe çdo detaj bëhet thelbësor. Sfida e ardhshme ndaj Interit në “Meazza” afrohet, në një kontekst ku gabimet nuk lejohen dhe Juventusi kërkon qartësi, stabilitet dhe rezultate për të mbetur në garë për objektivin madhor të Champions League.
KOHA JONË SONDAZH

