Juventus fiton ndaj Genoas, Ronaldo dopietë në sfidën e 100-të (VIDEO)
Juventus konfirmon formën fantastike që po kalon në këtë pjesë të sezonit edhe në kampionat. Skuadra e Pirlos triumfoi 3-1 në transfertën ndaj Genoa-s, një ndeshje që nuk ishte aspak e thjeshtë. Pjesa e parë u dominua nga skuadra torineze, por goli nuk do të vinte, falë edhe pritjeve shumë të mira të Perin.
Fraksioni i dytë ishte më i hapur, me Genoan që humbi shumë freskinë me kalimin e minutave. Për të zhbllokuar ndeshjen mendoi Dybala, i cili shënoi në minutën e 57-të me të majtën, një gol të ngjashëm si në sezonin e kaluar. Gëzimi i bardhezinjve gjithsesi do të zgjaste vetëm 4 minuta, pasi një ish-juventin si Sturaro do të barazonte nga një pozicion i prirët.
Juventus nuk u dorëzua teksa Pirlo hodhi në fushë edhe Moratën, duke formuar trinomin me Dybala-n dhe Ronaldon. Do të ishte sulmuesi portugez që do të shënonte dy herë nga pika e bardhë në ndeshjen e 100-të të tij me fanellën e Juventusit. Në kaq ndeshje ai kompletoi golin e 79-të, një ecuri fantastike. “Zonja e Vjetër” mbetet në vendin e katërt me 23 pikë, 3 më pak se Milani. /R.Lika-Koha Jone/