Juventus fitore spektakolare ndaj Interit në duelin me 7 gola
Gola të shumtë, gabime po aq të shumta dhe emocione deri në sekondën e fundit. Kjo ishte ndeshja Juventus–Inter që u mbyll 4-3, e vlefshme për javën e tretë të Serie A, e zhvilluar në “Allianz Stadium”. Skuadra e Igor Tudor arriti të marrë një fitore të çmuar ndaj asaj të Cristian Chivu, në një sfidë ku epërsia ndryshoi disa herë.
Interi e nisi më mirë ndeshjen, por ishin bardhezinjtë ata që shënuan të parët: Kelly në minutën e 14-të dhe më pas Kenan Yildiz në të 38-ën, ndërkohë që mes tyre Hakan Çalhanoğlu barazoi për zikaltërit. Vetë turku, në pjesën e dytë, realizoi dopietën personale me një goditje të saktë nga distanca, duke e kthyer ndeshjen në 2-2.
Spektakli vazhdoi me “duelin familjar” të vëllezërve Thuram, të ndjekur nga babai i tyre Lilian në tribunë. Fillimisht Marcus Thuram, sulmues i Interit, shënoi me kokë duke përmbysur rezultatin, por pak minuta më vonë Khephren Thuram, mesfushor i Juventusit, u përgjigj po me kokë, duke barazuar në 3-3.
Kur dukej se gjithçka do të mbyllej në barazim, në minutën e 91-të, ku i riu Adzic lëshoi një goditje të fortë nga distanca, që befasoi portierin Sommer dhe vulosi fitoren 4-3 për Juventusin.
Bardhezinjtë marrin tre pikë të arta, ndërsa Interi lë stadiumin e Torinos me hidhërimin e një humbjeje të dhimbshme, por në një ndeshje që dhuroi spektakël të pastër futbolli.
KOHA JONË SONDAZH

