Juventus heq dorë nga Mateta, nis sulmin për En-Nesyri
Tratativa për Jean-Philippe Mateta, që dukej pranë mbylljes, po ndërlikohet gjithnjë e më shumë për Juventusin. Marrëveshja me Crystal Palace ka hasur pengesa serioze, si për shifrën e ofruar nga bardhezinjtë, ashtu edhe për formulën e transferimit.
Klubi londinez kërkon të arkëtojë menjëherë shumën e plotë, ndërsa Juventusi këmbëngul për një pagesë të kushtëzuar nga kualifikimi në Europë. Një distancë që aktualisht duket e vështirë për t’u kapërcyer, sidomos pas hyrjes në garë të Aston Villa-s. Interesimi i klubit anglez ka bërë që Crystal Palace të rrisë kërkesat, me vlerën e kartonit të Mateta-s që tani sillet rreth 40 milionë euro, dhe me pranimin vetëm të formulës së shitjes përfundimtare.
Në këtë situatë, drejtuesit e Juventusit janë orientuar drejt alternativës që nga “plani B” është shndërruar në “planin A”: Youssef En-Nesyri. Sulmuesi maroken është në dalje nga Fenerbahçe, por operacioni nuk është i thjeshtë as në këtë rast, për shkak të pagës së lartë prej 8 milionë eurosh në sezon.
Juventusi synon të mbulojë pjesën e mbetur të pagës deri në fund të sezonit aktual, duke shtuar edhe një dëmshpërblim për huazimin. Më pas do të mbetej vetëm të përcaktohej shifra e blerjes përfundimtare. Sipas Tuttosport, e drejta e blerjes mund të fiksohet rreth 20 milionë euro, për një kosto totale prej 25 milionësh, por me vetëm 5 milionë të garantuara.
Një formulë që do t’i jepte Juventusit lirinë për të vlerësuar sulmuesin gjatë muajve të ardhshëm dhe, nëse En-Nesyri nuk bind ambientin bardhezi, të kërkojë një zgjidhje tjetër në verë.
KOHA JONË SONDAZH

