Juventus heroik eliminohet nga fati dhe Zhegrova, Galatasaray kalon pas kohës shtesë
Juventus ishte shumë pranë një mrekullie në “Allianz Stadium”, duke rrezikuar të përmbysë humbjen 5-2 të ndeshjes së parë ndaj Galatasaray, por u dorëzua në kohën shtesë dhe i dha lamtumirën UEFA Champions League pas rezultatit 3-2. Që nga minuta e parë, bardhezinjtë diktuan ritmin e lojës, por goli i avantazhit erdhi vetëm në minutën e 37-të. Kapiteni Manuel Locatelli u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke rihapur shpresat për një përmbysje të madhe.
Fillimi i pjesës së dytë solli një goditje për torinezët. Në minutën e 47-të, Lloyd Kelly u ndëshkua me karton të kuq, një vendim që u konsiderua i ashpër dhe la vendasit me dhjetë lojtarë. Megjithatë, reagimi ishte i menjëhershëm.
Në minutën e 70-të, Federico Gatti dyfishoi shifrat, ndërsa pak më vonë Kenan Yildiz goditi shtyllën, duke ndezur edhe më shumë entuziazmin në tribunë. Goli i tretë erdhi në minutën e 82-të, kur Weston McKennie dërgoi topin në rrjetë dhe çoi ndeshjen në shtesë.
Në kohën shtesë, bardhezinjtë patën një mundësi të artë me Edon Zhegrova, por gabimi i tij rezultoi vendimtar. Me kalimin e minutave dhe pas daljes nga fusha të Yildizit, Juventusi humbi energjinë dhe u ndëshkua në kundërsulm. Victor Osimhen realizoi në minutën e 106-të, ndërsa Baris Alper Yilmaz vulosi gjithçka në minutën e 118-të.
Galatasaray siguroi kështu kualifikimin në fazën e 1/8-ve, ku do të përballet me Liverpool dhe Tottenham Hotspur. Juventusi largohet me kokën lart, por me një peng të madh për ndeshjen e parë në Stamboll, që rezultoi vendimtare për fatin e këtij dueli dramatik.
KOHA JONË SONDAZH

