Juventus me oshilacione në Seria A, barazimet kthehen në trend negativ
Juventus e mbylli në vendin e parë grupin në Champions League, duke lënë pas Barcelonën, por në kampionat Andrea Pirlo ka ende shumë për t’u përmirësuar. Numrat ndonjëherë nuk tregojnë gjithçka, por mund të jenë mënyra më e mirë për të analizuar ose për të ndryshuar një trend. Kështu është e qartë që 6 barazime për bardhezinjtë (nuk ndodhin që nga sezonin 1984-85 kur e mbyllnin në vendin e 6-të) janë një aspekt që duhet përmirësuar. Lajmi i mirë është fakti që për të tretin sezon radhazi kampionët e Italisë nuk kanë pësuar humbje në 12 ndeshjet e para (sezonin e kaluar 10 fitore dhe dy barazime).
Juventus nuk është në krizë të thellë, teksa ka vetëm një “tradhti” nga Cristiano Ronaldo, i cili dështoi nga pika e bardhë. Për asin portugez janë 4 penallti të gabuara nga 30 të gjuajtura me fanellën e Juventusit në të gjitha kompeticionet (3 në Seria A, 1 në Kupën e Italisë).
Federico Chiesa dha sinjale pozitive me një gol të bukur nga distanca, duke arritur kuotën e 5 golave nga distanca nga 27 në total, 3 prej të cilëve kundër Atalantës. Vetëm dy futbollistë të lindur në vitin 1997 kanë lënë shenjë në 6 gola: Federico Chiesa (2 gola, 4 asist) dhe Lautaro Martinez (5 gola, 2 asist). Atalanta sigurisht nuk ishte në mbrëmjen e saj më të mirë duke parë problematikën mes trajnerit Gasperini dhe Gomez.
Formacioni i Pirlos ka barazuar në 3 transfertat e fundit (3 barazime që nuk ndodhin për bardhezinjtë që nga viti 1990). Milani nuk është shumë larg, vetëm 4 pikë, ndërkohë që Interi për momentin është 3 pikë më shumë. Gjithsesi komenti i Pirlos: “Ndeshje fantastike”, të lë shumë dyshime për të ardhmen. Skuadra torineze ka ende shumë gjëra për të përmirësuar, teksa faza sulmuese ka ende nevojë për alternativa dhe lojtarë me karakteristika të tjera, për të mbështetur Ronaldon, i cili është i vetmi i sigurt në formacion. /Rozalb Lika-Koha Jone/