Juventus mund me “poker” Spezian, Ronaldo rikthehet me dopietë (VIDEO)

Juventus rikthehet në rrugën e fitoreve në Seria A pas dy barazimeve radhazi ndaj Veronës dhe Crotones. Skuadra bardhezi triumfoi 4-1 në transfertën ndaj Spezias, të ngjitur këtë sezon në elitën e futbollit italian.

Ekipi i drejtuar nga Pirlo e nisi mjaft mirë sfidën me skemën e re 3-5-2, duke e zhbllokuar pas 14 minutash lojë. Pas një aksioni të bukur të Danilos dhe McKennie, Morata e ka të thjeshtë që ta shtyjë topin në rrjetë. Më në fund “VAR” i shërbeu spanjollit për ta certifikuar golin, dhe jo për ta anuluar.

Vendasit gjithsesi reagojnë shumë mirë duke gjetur golin e barazimit në minutën e 32-të me Tommaso Pobega, i cili përfitoi nga përgjumja e skuadrës torineze. Bardhezinjtë krijojnë raste shënimi, por vuajnë shumë për konkretizimin e tyre, teksa Dybala ishte në një tjetër ditë të vështirë.

Sulmuesi argjentinas i la vendin Ronaldos, të cilit ju deshën vetëm 2 minuta e 6 sekonda që të gjente rrugën e rrjetës, pas një asisti të Moratës. Disa minuta më pas Rabiot nuk pason te asnjë duke shënuar i vetëm golin e tretë. Më pas do të ishte Chiesa që pas një shpërthimi në krahun e majtë arrin të fitojë një penallti. Nga pika e bardhë Cristiano Ronaldo tregohet i saktë duke shënuar me “Panenka”. Ky ishte goli i pestë për CR7 në kampionat, në vetëm tri ndeshje aktivizim. /R.Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP