Juventus përmbys Atalantën e Gjimshitit, Dybala-Higuain dhurojnë spektakël (VIDEO)
Juventus arrin të marrë 3 pikë të tjera në kampionat duke fituar edhe në transfertën e vështirë ndaj Atalantës. Skuadra e Sarrit ka thyer mallkimin e viteve të fundit duke triumfuar 3-1 me përmbysje, një ndeshje e cila u luajt mjaft mirë nga ekipi i Gasperinit.
Pa Cristiano Ronaldon, Sarri hedh në fushë dyshen Dybala-Higuain, i mbështetur nga Bernandeschi. Ky i fundit luajti vetëm gjysmën e pjesës së parë, pasi doli shumë shpejt për shkak të një dëmtimi. Bergamaskët ishin dominues në mbajtjen e topit dhe në raste, por fati ishte me ekipin torinez në 45 minutat e para.
Në minutën e 56-të, pas një aksioni të bukur në krahun e djathtë, Robin Gosens arrin që të shënojë me kokë. Reagimi i skuadrës torineze është i menjëhershëm. Në minutën e 74-t, pas një rrëmuje në zonën e bergamaskëve, Gonzalo Higuain arrin të përfitojë duke shënuar, i ndihmuar edhe nga një devijim i Toloit.
Kampionët e Italisë marrin zemër nga golin dhe arrijnë që të shënojnë që edhe golin e dytë dhe të përmbysjes ndaj Atalantës, pas një aksioni shumë të bukur. Dybala dhe Cuadrado pas një kombinimi në zonë, nxjerrin në një pozicion të favorshëm Higuain, i cili e ka të thjeshtë për ta dërguar për herë të dytë në rrjetë.
Në kohën shtesë Paulo Dybala, me një veprim spektakolar në zonë, arrin ta dërgojë topin në cepin e portës së Gollinit, duke i dhënë 3 pikët e radhës që e mbanë në krye ekipin bardhezi. /R.Lika-Koha Jone/