Juventus piketon lojtarin e Toulouse si zëvendësues të Yildiz
Juventus po punon për t’i vënë në dispozicion Luciano Spallettit një alternativë cilësore në krahun e majtë të sulmit, me synimin për t’i dhënë më shumë hapësirë pushimi Kenan Yildiz. Pistat italiane janë ndërlikuar ndjeshëm: Liverpool nuk hap rrugë për një huazim të Federico Chiesa-s, ndërsa për Maldinin pengesat mbeten të shumta.
Sipas La Stampa, drejtuesit bardhezinj kanë kthyer vëmendjen drejt një emri të ri, që në fakt është një njohje e vjetër për drejtorin Damien Comolli: Yann Gboho.
Bëhet fjalë për një futbollist të lindur në vitin 2001, pjesë e Toulouse, i cili po zhvillon një sezon pozitiv në Ligue 1. Gboho aktivizohet natyrshëm në krahun e majtë, duke plotësuar një boshllëk taktik në organikën e Juventusit, pasi profile si Zhegrova dhe Conceição preferojnë të luajnë në të djathtë.
Francezi ka regjistruar këtë sezon 5 gola dhe 2 asistime, ndërsa vlerësimi i kartonit të tij varion nga 10 deri në 15 milionë euro. Negociatat nuk pritet të jenë të lehta, duke qenë se Gboho është titullar i padiskutueshëm te Toulouse, por marrëdhëniet e mira të Juventusit me tregun francez mund të favorizojnë operacionin.
KOHA JONË SONDAZH

