Juventus planifikon 4 largime të mëdha dhe një rinovim “galaktik”
Rinovimi i Paulo Dybala-s është një nga përparësitë e Juventusit. Sulmuesi argjentinas është lojtari i dytë më i rëndësishëm i skuadrës pas Cristiano Ronaldo, por kontrata e tij skadon në vitin 2022 dhe aktualisht po negociojnë për zgjatjen e saj.
“La Joya” ishte pranë largimit verën e kaluar, por ai refuzoi transferimin te Manchester United. Aktualisht argjentinasi merr 7.5 milionë euro në sezon, ndërkohë që për rinovimin kërkon dyfishin, me shpresën që të harrohen mosmarrëveshjet mes klubit italian dhe agjentit të tij. Një shifër e mesme që shkon në 11 apo 12 milionë euro mund të lërë të kënaqur të dyja palët, teksa do të shndërrohej në futbollistin e dytë më të paguar pas Ronaldos.
“La Gazzetta dello Sport” raporton se Juventus nëse do të plotësojë këtë kërkesë të argjentinasit, atëherë me shumë mundësi do të heqë dorë nga të paktën 4 futbollistë. I pari është Miralem Pjanic, i cili ndiqet prej javësh me ngulm nga Barcelona. Gonzalo Higuain është lojtari tjetër, i cili duket se e ka të sigurt largimin në fundin e sezonit, pasi ka zhvilluar një sezon shumë të dobët.
Dy emrat e tjerë që plotësojnë listën e largimeve janë Adrien Rabiot dhe Federico Bernandeschi. Në këtë mënyrë skuadra torineze do të heqë dorë nga futbollistë të një niveli cilësorë për të mbajtur Dybala-n me një rinovim “galaktik”. /R.Lika-Koha Jone/