Juventus-Real Madrid në rrezik për shkak të stuhisë dhe rrufeve
Ndeshja mes Juventusit dhe Real Madridit në kuadër të 1/8-ave të Botërorit për Klube, që pritet të zhvillohet në stadiumin Hard Rock të Miamit, mund të shqoërohet me ndërprerje për shkak të motit të keq. Sipas agjencisë federale të motit në SHBA, ekziston një probabilitet prej 45 për qind për reshje të dendura shiu dhe stuhi me rrufe në zonë, gjë që ka detyruar autoritetet dhe FIFA-n të jenë në gatishmëri.
Skenarë të ngjashëm janë parë ditët e fundit në ndeshje të tjera në SHBA, ku për shkak të motit ekstrem, disa sfida si Chelsea-Benfica janë ndërprerë për disa orë, ndërsa të tjera janë luajtur me ndalesa të shkurtra në pritje të përmirësimit të kushteve atmosferike.
Rregullat e protokollit të ndjekur në rast stuhie, bazuar në udhëzimet e qeverisë amerikane dhe të zbatuara nga FIFA, parashikojnë ndërprerjen e menjëhershme të çdo aktiviteti në ambiente të hapura nëse konstatohet një rrufe brenda një rrezeje prej 13 kilometrash nga stadiumi ose nëse koha midis shikimit të rrufesë dhe dëgjimit të bubullimës është më pak se 30 sekonda.
Në këto raste, ndeshja do të ndërpritet në blloqe prej 30 minutash derisa rreziku të ketë kaluar plotësisht. Ndërkohë, skuadrat dhe tifozët do të duhet të kërkojnë strehim të sigurt.
Përballja e shumëpritur mes Juventusit dhe Real Madridit mbetet në pritje të zhvillimeve meteorologjike, me shpresën që ndeshja të mos ndikohet nga stuhitë e parashikuara.
KOHA JONË SONDAZH

