Juventus refuzon 65 mln euro për Kenan Yldiz nga Chelsea
Kenan Yildiz do të mbetet bardhezi. Ky është “goditja” e vërtetë e merkatos së verës për Juventusin, që ka vendosur të mbajë me çdo kusht talentin turk. Trajneri Igor Tudor është i mahnitur nga aftësitë e tij dhe drejtuesit e klubit, nën udhëheqjen e Comollit dhe Chiellinit, duan ta bëjnë 19-vjeçarin simbolin e projektit të ri.
Sipas mediave italiane, Chelsea ka tentuar ditët e fundit të bindë Juventusin me një ofertë shumë të lartë, rreth 65 milionë euro, për t’i dhuruar Enzo Marescës një element cilësor për fazën ofensive. Por “Zonja e Vjetër” e ka mbyllur menjëherë derën. Për Yildiz, nuk ka çmim që mund ta bëjë klubin të lëkundet.
Në fakt, Juventus është tashmë duke punuar për rinovimin e kontratës së tij. Edhe pse lojtari e ka zgjatur marrëveshjen deri në vitin 2029 vetëm pak muaj më parë, bardhezinjtë duan ta shpërblejnë me një tjetër rritje rroge dhe një kontratë të re deri në vitin 2030. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, paga e re do të jetë të paktën 4 milionë euro në sezon, në linjë me yjet kryesorë të skuadrës.
Për momentin, Chelsea ka hequr dorë nga Yildiz dhe është fokusuar te Xavi Simons i Leipzig. Ndërkohë në Torino, drejtuesit e rinj Comolli dhe Chiellini e kanë vendosur: mbrojtja e Kenan Yildiz është përparësi absolute dhe firma për rinovimin mund të vijë brenda ditëve në vijim.
KOHA JONË SONDAZH

