Juventus shkatërron Udinesen me super Ronaldon, Milani zhgënjen ndaj Sassuolos (VIDEO)
Juventus është rikthyer në rrugën e fitoreve në Seria A, duke mundur me lehtësi 3-1 ndaj Udineses në shtëpi. Trajneri Sarri hodhi nga minuta e parë trinomin Ronaldo-Higuain-Dybala, teksa do të shpërblehej menjëherë për zgjedhjen e tij.
Ronaldo zhbllokoi shumë shpejt ndeshjen në minutën e 9-të pas një kombinimi me Dybala-n, ndërkohë që në të 37-n, Higuain shërbeu për portugezin për të realizuar golin e dytë. Në fundin e pjesës së parë Bonucci realizoi me kokë edhe golin e tretë.
Në pjesën e dytë, Juventusi uli ritmin, por rastet nuk munguan teksa Ronaldo dhe Dybala gjetën shtyllë dhe traversën. Në krahun tjetër Buffon bëri dy ndërhyrje mjaft të mira, por në shtesë Pusseto shënoi golin e nderit. Bardhezinjtë marrin përkohësisht kryesimin në pritje të sfidës së Interit ndaj Fiorentinës.
Milani zhgënjeu sërish duke mos shkuar më shumë se një barazim 0-0 ndaj Sassuolos në shtëpi. Në ditën e 120 vjetorit të klubit, kuqezinjtë nuk arritën të merrnin suksesin e tretë radhazi. Milani në fakt gjeti golin në minutën e 31-të me të përhershmin Theo Hernandez, por arbitri e anuloi. Calhanoglu, Piatek apo Leao (dy shtylla) shpërdoruan mundësi të mira shënimi. Bologna surprizoi Atalantën duke e mundur 2-1. /R.Lika-Koha Jone/