Juventus siguron talentin Reynolds, por do të huazohet deri në verë

Juventus ka mbyllur marrëveshjen me një talent që aktivizohet në Shtetet e Bashkuara. Bryan Reynolds është 19-vjeçari që luan në rolin e mbrojtësit anësor, me të cilin Juventus ka arritur një marrëveshje, por nuk mund të përfitojë menjëherë shërbimet e tij.

Kjo ndodh për faktin se torinezët kanë plotësuar numrin e lojtarëve të huaj në skuadër, prandaj 19-vjeçari Reynolds do të huazohet fillimisht te Benevento, njësoj siç “Zonja e Vjetër” veproi me turkun Demiral në vitin 2019, kur për të njëjtën arsye e transferoi mbrojtësin te Sassuolo për ta bërë pjesë një vit më pas.

Operacioni për talentin amerikan i ka kushtuar Juventusit 7 milionë dollarë. Në fund të sezonit, drejtuesit e klubit do të diskutojnë për të ardhmen e tij, por edhe nëse do të kenë mundësinë të afrojnë një tjetër talent, këtë herë italian, Nicolo Rovella, i cili aktivizohet te Genoa dhe është prej kohësh në radarët e kampionëve të Italisë.

SHKARKO APP