JUVENTUS – Yildiz, paga e re kërkon performancë të lartë: Misioni i parë, kualifikimi në Champions
Me firmosjen e kontratës së re, ka nisur zyrtarisht epoka e re e Kenan Yildiz te Juventus. Talenti turk, i cili tashmë zë një hapësirë të konsiderueshme në buxhetin e pagave të klubit, pritet të flasë në fushë dhe të tregojë vlerat e tij. Nuk ka më vend për diskutime rreth mospërputhjes mes pagës dhe rolit; pavarësisht moshës së re, Yildiz ka detyrën të marrë skuadrën mbi supe dhe ta shtyjë përtej vështirësive dhe limiteve. Pas mungesës në ndeshjen kundër Atalantës, për shkak të eliminimit nga Kupa e Italisë, Yildiz ka kaluar mbingarkesën muskulore në aduktorin e majtë dhe është plotësisht i gatshëm të rikthehet në pozicionin e tij, në të majtë të vijës së trequartistit.
Për ndeshjen e radhës, trajneri Luciano Spalletti ka konfirmuar në konferencën për shtyp se Lloyd Kelly dhe Francisco Conceiçao nuk janë në formën më të mirë dhe vendimi për aktivizimin e tyre nga minuta e parë do të merret sot. Këto dy pozicione mbeten me pikëpyetje në formacion. Në mbrojtje, balotazhi është i hapur mes Federico Gatti dhe Teun Koopmeiners, me holandezin që është aktivizuar shpesh në vend të anglezit kur ky i fundit ishte i dëmtuar. Ish-lojtari i Atalantës duket pak më i favorizuar për një vend titullari. Skenari në trequartinë duket më i qartë në rast të mungesës së “Chico” Conceiçao: Fabio Miretti është aktivizuar zakonisht në qendër në këto raste, me Weston McKennie që zhvendoset në të djathtë. Konkurrentët e tjerë, si Jeremie Boga, i cili hyri shumë mirë në fushë të enjten, nuk duket gati të nisë një ndeshje nga minuta e parë, ndërsa Edon Zhegrova aktualisht duket larg formacionit startues.
Me një kontratë të tillë të sapofirmosur, fati i Yildiz është i lidhur ngushtë me atë të Juventusit. Kjo do të thotë, në mënyrë brutale, se klubi bardhezi duhet të mbrojë me çdo kusht zonën e Champions League. Prandaj, është thelbësore të mposhtet Lazio dhe t’i përgjigjet fitores së Napolit të djeshme pasdite, duke mbajtur njëkohësisht distancën nga Roma, e cila do të luajë nesër mbrëma në shtëpi kundër Cagliarit. E ardhmja fituese, të cilës i aspiron talenti turk, kalon domosdoshmërisht edhe përmes këtyre objektivave të ndërmjetëm. Për të shkruar historinë – si të tijën, ashtu edhe të klubit – duhet fillimisht të “ndotësh duart” në garën për vendin e katërt.
Të gjithë e dinë këtë, nga drejtuesit e klubit te Spalletti, deri te vetë numri 10. Dhe, atëherë, më në fund në fushë me një kontratë të re të depozituar dhe numrin e zakonshëm në shpinë. Shpresa e të gjithëve, sado absurde të duket, është që pas disa vitesh të flitet sërish për një kontratë prej 7 milionë eurosh që është shumë pak për një kampion që do të ketë ngritur sërish nivelin e tij. Por, fillimisht, fokusi është te Lazio; për pjesën tjetër do të mendohet hap pas hapi.
Marrë nga La Gazzetta dello Sport
KOHA JONË SONDAZH

