Juventusi me “mbrojtje të hekurt”, shkatërron Lazion dhe merr vendin e tretë (VIDEO)
Juventus vijon ecurinë e rezultateve pozitive në kampionat, duke marrë një fitore të madhe 3-0 ndaj Lazios. Skuadra e Allegrit merr triumfin e 6-të radhazi në Seria A dhe tashmë renditet në vendin e tretë me 31 pikë, 2 më pak se Milani dhe 10 më pak se Napoli kryesues.
Mbrëmjen e sotme bardhezinjtë dominuan ndeshjen, duke qenë shumë më të rrezikshëm. Nga ana tjetër Sarri i besoi nga minuta e parë Hysajt, i cili zhvilloi një ndeshje shumë të mirë në krahun e djathtë, duke limituar Kostic. Në fundin e pjesës së parë, Moise Kean shënoi një gol të bukur pas një asisti nga Rabiot.
Në minutën e 54-t, Kean do të shënonte dhe golin e dytë personal, duke devijuar në rrjetë një top që mbeti pas një pritje të portierit Provedel. Në fundin e ndeshjes, Milik kompletoi mbrëmjen perfekte pas një asisti nga Chiesa. /R.Lika-Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

