Ka shënuar më parë në finalen e Championsit, Havertz: Do e ndihmoj ekipin të fitojmë!

Kai Havertz është gati për një tjetër natë historike në karrierën e tij. Futbollisti gjerman, i cili dikur vendosi finalen e UEFA Champions League me golin e triumfit të Chelseat ndaj Manchester City-t, synon tashmë të udhëheqë Arsenalin drejt trofeut më të madh europian për klube në përballjen finale ndaj Paris Saint-Germain.

Në prag të finales së madhe, Havertz ka kujtuar emocionet e suksesit të vitit 2021, duke shpresuar që eksperienca e tij të ndihmojë skuadrën londineze në sfidën më të rëndësishme të sezonit.

“Mund t’u transmetoj shokëve të skuadrës kujtimet e mia të bukura dhe ndoshta kjo mund të ndihmojë. Është diçka që nuk do ta harroj kurrë. Atëherë ishim favoritë më të vegjël dhe askush nuk e priste shumë nga ne. Si fëmijë nuk do ta imagjinoja kurrë se do të shënoja një gol në finalen e Champions dhe do ta fitoja atë ndeshje”, deklaroi Havertz në një intervistë për The Athletic.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sulmuesi 26-vjeçar vjen në këtë finale pas një sezoni të rëndësishëm me Arsenalin, ku goli i tij i fundit ndaj Burnleyt ndihmoi ndjeshëm skuadrën e Mikel Artetës për të fituar titullin e parë kampion në Premier League pas 22 vitesh.

Swiss Digital Mobile Reklama

Madje, Havertz bëri edhe shaka për trajnerin spanjoll, duke thënë se i kishte bërë një “dhuratë të vogël”.

“Mendoj se ishte bukur t’i bëja një dhuratë të vogël Artetës. Ai e ka rikthyer klubin aty ku meriton të jetë”, u shpreh gjermani.

Havertz foli edhe për momentin që sipas tij shërbeu si pikë kthese për sezonin e Arsenalit: humbja në finalen e Carabao Cup ndaj Manchester Cityt.

“Ajo humbje ishte një moment i rëndësishëm. E kuptuam se mund të bënim shumë më tepër dhe se kjo skuadër kishte potencial më të madh. Pas pushimit të kombëtareve u rikthyem me një mentalitet tjetër dhe gjërat nisën të ndryshonin”, tha ai.

Në lidhje me finalen ndaj PSG-së, Havertz tregoi respekt për kundërshtarin, por nuk fshehu besimin e madh te skuadra londineze.

“Për të qenë i sinqertë, nuk mendoj fare kush është favorit apo jo. PSG ishte ndoshta skuadra më e mirë në Europë sezonin e kaluar dhe ka zhvilluar një tjetër sezon fantastik. Por ne kemi shumë besim. Kemi luftuar në nivelet më të larta prej disa vitesh dhe tani kemi fituar edhe Premier League. Kjo na jep shtysë të madhe”, deklaroi ai.

Në fund, gjermani dha një mesazh të qartë dhe ambicioz për finalen: “Nuk ka rëndësi nëse je favorit apo jo. Do të zbresim në fushë dhe do t’i mposhtim. Jemi gati ta marrim trofeun”.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se Shqipëria pranohet në BE deri në vitin 2030?