Kapiteni i Shënkollit godet arbitrin në Kategorinë e Dytë, arrestohet nga policia

Dhunë në ndeshjen e Kategorisë së Dytë mes Shënkollit dhe Sopotit, e vlefshme për javën e pestë në grupin A. Kapiteni i vendasve ka goditur me kokë arbitrin kryesor Abdurrahman Kadria.

Kryesori nga Peshkopia ka marrë goditje të fortë dhe një të çarë në pjesën e fytyrës, teksa është dërguar me urgjencë në spitalin e Lezhës.

Në minutën e 85-të, kur u ndërpre edhe ndeshja, rezultati ishte 1-1. Gjyqtari akordoi një penallti në favor të Sopotit, gjë që nuk është pranuar nga vendasit, me kapitenin e Shënkollit që goditi arbitrin.

“Me datë 28.10.2023, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Bledar Pjeter Zefi, (futbollist i ekipit të Shënkollit, kategoria e 2, Lezhë) i dtl 06.09.1992, lindur dhe banues në Lezhë, sepse gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit, kategorisë së dyte midis ekipeve të “Shënkollit” dhe “Sopotit” të Librazhdit, ka goditur me grusht arbitrin e ndeshjes shtetasin Abdurraman Kadriu, lindur ne Peshkopi dhe banues ne Tirane, i cili po merr mjekim ne Spitalin rajonal Lezhë jashtë rrezikut për jetën.

U kryen veprimet proceduriale për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës” parashikuar nga neni 237 i K.Penal, dhe materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës se Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë”, njofton policia.

SHKARKO APP