Kapllanaj: Bylisi s’është si Reali, mund ta kishim mundur Tiranën 5-0

Pasi dha dëshminë e tij në FSHF për dyshimet në ndeshjen e Kupës mes Bylisit dhe Tiranës, presidenti i ballshiotëve Besnik Kapllanaj është shprehur se skuadra e tij është e pastër dhe nuk ka asnjë lidhje me dyshimet që janë ngritur për ta.

“Për çfarë të mbroheshim?! Nuk mendoj se kishim ndonjë gjë për tu mbrojtur. U pyetëm dhe dhamë shpjegimin tonë. Shpjegimi ishte atje dhe mund ti merrni atje. Ne gjithmonë kemi nga 10 persona në tribunë për çdo ndeshje të Bylisit. Pastaj se cilët persona vijnë me Tiranën dhe e duan apo jo këtë skuadër, duhet t’i zgjidhin ata. Ne jemi të pastër, të hapur jo sot por gjithmonë. Nga fillimi i kampionatit dhe deri tani nuk mund të baltosemi, pasi kemi bërë një kampionat dinjitoz dhe nuk duhet të hidhet baltë mbi ne.

Akuzat e Licit? Është me dy fytyra, pasi para ndeshjes atë ditë më ftoi për drekë. Më pas kur kishte një debat në studio, kishte thënë gjëra të turpshme në drejtimin tim. Shyqyr që nuk tha që e vendosa unë bombën. Ai të shikojë punën e tij, Bylisi ka lënë 9 pikë me Flamurtarin, ato që ata i morën. Kemi luajtur futboll dhe do e bëjmë deri në fund.

Bylisi nuk është Reali Madridit dhe mund ta kontrollojë një ndeshje si të dojë. Kemi vetëm një ëndërr siç është fitimi i Kupës dhe mendoj se do e arrijmë. Ju e dini shumë mirë që kjo skuadër kam luftuar shumë për atë. Me Tiranën kemi fituar me meritë dhe do shkojmë në finale po me meritë. Unë jam presidenti dhe mbaj përgjegjësi për klubin dhe e di se çfarë ndodh këtu.  Ne kemi qenë dinjitoz në fushë dhe në sjellje. Mjafton të shikoni Goxhajn që e dënuam. Njëjtë kemi vepruar edhe me të tjerë, ku është thyere rregullorja e klubit.

Në vitet e ardhshme do jemi shumë kompetentë. Nuk kam çfarë të flas, për ato që janë thënë, jemi të pastër për gjithçka. Do jemi një ekip model. Nuk merrem me ekipin tjetër. Me Kukësin kemi bërë një ndeshje katastrofë në pjesën e parë, ndërsa në pjesën e dytë e mbyllëm Kukësin në zonën e tyre. Rastet e humbura me Tiranën janë të pafalshme. Jam shumë i dëshpëruar që nuk e fituam ndeshjen me Tiranan 4-0 ose 5-0, pasi i dominuam dhe ta kishim të sigurt kualifikimin”, u shpreh Kapllanaj.

SHKARKO APP