Kastrioti përmbys gjithçka dhe feston Superkupën, Bislimi sjell trofeun në Ferizaj
Një gol në sekondat e fundit dhe një trofe historik për Kastriotin. Skuadra ferizajase ka triumfuar në Superkupën e Kosovës në hendboll, pasi mposhti Besa Famgasin me rezultat 27:26 në palestrën “Bill Clinton”, në një ndeshje që dhuroi emocione deri në momentin e fundit. Heroi i mbrëmjes ishte Jeton Bislimi.
Pivot i Kastriotit realizoi golin vendimtar pak sekonda para përfundimit, duke shpërthyer festën në palestrën e mbushur me tifozë. Ndeshja nisi më mirë për pejanët, të cilët e kontrolluan pjesën më të madhe të fraksionit të parë. Megjithatë, Kastrioti reagoi dhe skuadrat shkuan në pushim me rezultat të barabartë, 14:14.
Besa Famgas e nisi fuqishëm pjesën e dytë dhe arriti të krijojë një epërsi prej pesë golësh, 20:15. Por vendasit nuk u dorëzuan. Të shtyrë nga mbështetja e tifozëve, ata nisën rikthimin dhe minuta pas minute e ngushtuan diferencën. Në minutën e fundit, Patryk Gregulowski e barazoi rezultatin në 26:26, duke i dhënë Kastriotit mundësinë për goditjen e fundit. Besa nuk arriti të shënonte në aksionin e saj, ndërsa në sulmin pasues Bislimi mori përgjegjësinë dhe e dërgoi topin në rrjetë. 27:26 dhe trofeu ishte në duart e Kastriotit.
Ky është triumfi i parë i Kastriotit në Superkupën e Kosovës. Skuadra ferizajase e vazhdon kështu një periudhë të artë, pasi është kampione në fuqi e Kosovës dhe mban edhe Kupën e Kosovës. Në aspektin individual, Gregulowski ishte golashënuesi më i mirë i Kastriotit me gjashtë gola, ndërsa Bislimi kontribuoi me pesë. Te Besa Famgas, Deniz Terqizi shënoi tetë herë, ndërsa Ilir Istrefaj, Jon Muqolli dhe Yassine Henahen realizuan nga katër gola. Por në fund, gjithçka u vendos nga një gol i vetëm — ai i Jeton Bislimit, që i dha Kastriotit një Superkupë të paharrueshme.
View this post on Instagram

