Kategoria e Parë/ Gara për Superiore, Besa dhe Flamurtari fitojnë dhe vijojnë betejën në distancë

Gara për ngjitjen në Superiore mbetet e hapur dhe do të vendoset vetëm në javën e fundit të Kategorisë së Parë. Besa dhe Flamurtari vijojnë duelin e fortë për vendin e dytë, që siguron një biletë direkte për në elitë.
Kavajasit bënë detyrën në shtëpi ndaj kryesuesve të Vorës, duke fituar minimalisht 1-0, por mbeten ende në vendin e tretë me 71 pikë, vetëm një më pak se Flamurtari.
Skuadra vlonjate mori një fitore të pastër 2-0 përballë Erzenit, duke ruajtur vendin e dytë me 72 pikë. Në javën vendimtare, ata do të përballen me Vorën, në një sfidë ku do të luhet gjithçka.
Ndërkohë, Pogradeci vijon formën e shkëlqyer me fitoren e katërt radhazi, këtë herë me një 3-0 bindës ndaj Kukësit. Liqenorët ngjiten në vendin e pestë me 49 pikë, ndërsa verilindorët mbeten në zonën e ftohtë në vendin e 10-të me 28 pikë.
Fitore regjistroi edhe Burreli, që mposhti 2-1 Valbonën, ndërsa Korabi doli me tre pikë nga transferta e Lushnjës falë një suksesi minimal 0-1. Ndërkohë, Apolonia u ndal në një barazim 1-1 në fushën e Kastriotit.
Rezultatet e javës:
Besa – Vora 1-0
Flamurtari – Erzeni 2-0
Pogradeci – Kukësi 3-0
Lushnja – Korabi 0-1
Burreli – Valbona 2-1
Kastrioti – Apolonia 1-1