KF Vora ndal 1-1 KF Tiranën, vështirësohet mbijetesa për bardheblutë
KF Vora ia doli të ndalte 1-1 një tjetër emër të madh të futbollit shqiptar, KF Tiranën. Në stadiumin e Vorës dhe me një prezencë të shtuar tifozësh, ndeshja dhuroi shumë emocione, dy shtylla në fundin e saj dhe shumë pikëpyetje për të ardhmen e KF Tiranës e cila mbetet në vendin e fundit të renditjes.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, por me nisjen e fraksionit të dytë Basilio Ndong kaloi Tiranën në epërsi për festën e “Fanaticsave” që kishin udhëtuar në numër të konsiderueshëm në Vorë.
Pasi pësuan golin, vorakët nuk u ndalën dhe u shpërblyen me golin e barazimit në minutëne 81-të. Vetëm pesë minuta pasi u hodh në fushë, Adeloye barazoi shifrat. Një krosim nga e djathta bëri që Kasalla me kokë të stamponte shtyllën dhe me sferën e kthyer nigeriani Ayodele Adeloye nuk mund të gabonte nga pranë.
KF Tirana nuk u pajtua me barazimin dhe pa drejt sulmit, por në një aksion Myslovic nga jashtë zone dhe Ernest nga pranë u ndalën nga shtylla. Në fund 1-1 dhe KF Tirana sheh më larg mbijetesën. Vora me 23 pikë mbetet për momentin në vendin e gjashtë, ndërsa KF Tirana me vetëm 14 pikë ndodhet në pozitën e dhjetë (të fundit).
Superliga mbyll sot raundin e 20-të me dy takime. Në orën 17:00 luhet Partizani – Teuta në “Arenën e Demave”, ndërsa në orën 19:30 në “Air Albania” merr jetë Dinamo – Vllaznia.
Superliga shqiptare, raundi 20-të:
E diel, 18 janar 2026
Egnatia 2-2 AF Elbasani
Flamurtari 3-0 Bylis
E hënë, 19 janar 2026
13:30 Vora 1-1 KF Tirana
17:00 Partizani – Teuta
19:30 Dinamo – Vllaznia
KOHA JONË SONDAZH

