Klopp kundër ekstremit të djathtë në Gjermani: Nuk dua t’ua lë krenarinë kombëtare njerëzve të gabuar
Jurgen Klopp ka shfrytëzuar konferencën e tij të parë për shtyp si trajner i Gjermanisë për të shprehur hapur qëndrimin e tij kundër avancimit të së djathtës ekstreme në vend.
Duke iu referuar rritjes së mbështetjes për partinë Alternative für Deutschland (AfD) në zgjedhjet e fundit rajonale, Klopp tha se krenaria kombëtare nuk duhet të lihet në duart e forcave politike që promovojnë përçarjen.
“Nuk dua t’ua lë krenarinë kombëtare njerëzve të gabuar”, deklaroi Klopp.
Trajneri gjerman iu referua në veçanti zgjedhjeve në Saksoninë-Anhalt, ku AfD siguroi 43.8% të votave, duke iu afruar shumicës absolute në parlamentin rajonal.
“Patëm zgjedhje ku disa mendonin se gjithçka ishte në rregull, ndërsa të tjerë mendonin: ‘O Zot, çfarë po ndodh këtu?’”, u shpreh Klopp.
Ish-trajneri i Liverpoolit theksoi se nuk e konsideron veten ekspert të politikës, por tha se nga këndvështrimi i tij si sportist dëshiron ta rikthejë simbolikën e flamurit gjerman si një element që bashkon qytetarët.
“Nga këndvështrimi im si sportist, do të doja ta merrja flamurin përsëri për veten time, për ne. Nuk dua t’ua lë krenarinë kombëtare njerëzve të gabuar”, tha ai.
Klopp u ndal edhe te koncepti i patriotizmit, duke theksuar se krenaria për vendin mund të bashkëjetojë me vlera si hapja, përfshirja dhe respekti ndaj të tjerëve.
“Mund të jem krenar që jam gjerman, ndërsa njëkohësisht të jem i hapur, gjithëpërfshirës, miqësor dhe i afrueshëm”, deklaroi trajneri.
KOHA JONË SONDAZH

