Klopp: Në këtë moment i them jo Realit, por kurrë mos thuaj kurrë
Pas shkarkimit të Xabi Alonsos, në ambientin e Real Madridit ka nisur të qarkullojë sërish me këmbëngulje emri i Jurgen Kloppit si një kandidat i mundshëm për stolin e “Los Blancos”.
Trajneri gjerman, 58 vjeç, konsiderohet prej kohësh si një nga profilet më prestigjiozë në treg, por për momentin klubi madrilen i ka besuar drejtimin e skuadrës Alvaro Arbeloas, si zgjidhje e përkohshme.
I pyetur për një transferim të mundshëm në “Santiago Bernabeu”, Klopp ka preferuar të mbajë një qëndrim të kujdesshëm, pa e mbyllur plotësisht derën. Aktualisht i angazhuar në projektin Red Bull pas largimit nga Liverpooli, tekniku theksoi se ndihet i qetë dhe i balancuar si në aspektin personal, ashtu edhe në atë profesional.
Megjithatë, ai la hapur një mundësi për të ardhmen: “Jam në një fazë të jetës ku ndihem në paqe me veten dhe aty ku dua të jem. Në këtë moment do të thoja jo, por në jetë kurrë nuk duhet thënë kurrë. Nuk besoj se do ta ndryshoj mendimin, por asgjë nuk është e sigurt”, deklaroi Klopp për mediat spanjolle.
KOHA JONË SONDAZH

