Klopp përjashton një të ardhme te Real Madrid dhe këshillon Alonson
Jurgen Klopp ka komentuar zhvillimet e fundit te Real Madrid, pas ndryshimit të trajnerit në “Santiago Bernabeu”. Në një intervistë të dhënë për “Sport and Talk from Hangar-7”, ish-tekniku i Bayer Leverkusen dhe Liverpool është ndalur te largimi i Xabi Alonsos dhe zgjedhja e drejtuesve madrilenë për t’i besuar stolin Arbeloas, duke shpjeguar njëkohësisht pse ai vetë nuk ishte kandidati i duhur për këtë post.
Fillimisht, trajneri gjerman ka shprehur mbështetjen e tij për Xabi Alonson, duke nënvizuar vështirësitë që sjell trashëgimia e një figure si Carlo Ancelotti. Sipas Klopp, të marrësh drejtimin e një skuadre pas një legjende dhe një trajneri jashtëzakonisht të suksesshëm, me një stil shumë të veçantë pune, e bën gjithçka më të ndërlikuar, sidomos kur përpiqesh të vendosësh rregulla dhe ide të reja. Ai theksoi se i vjen shumë keq për Alonson, të cilin e konsideron një trajner të madh.
Nga ana tjetër, drejtori global i futbollit në botën Red Bull ka përjashtuar në mënyrë kategorike çdo mundësi që ai të marrë drejtimin e Real Madrid në të ardhmen. Klopp u shpreh se ajo që ka ndodhur në Madrid nuk ka pasur asnjë ndikim tek ai dhe se tregu i trajnerëve po kalon një fazë transformimi të thellë.
Në fund, gjermani ka riafirmuar zgjedhjen e tij për të qëndruar larg pankinave. Sipas tij, nuk është aspak ide e keqe t’i shohësh gjërat nga distanca dhe të mos mendosh se çfarë do të thotë çdo situatë për ty personalisht, kur ndodhesh në vendin e duhur.
KOHA JONË SONDAZH

