Klose largohet nga fusha, së shpejti trajner

Legjenda e Gjermanisë, Miroslav Klose, përfundimisht ka vendosur të varë këpucët në gozhdë pas aventurës së tij të fundit në karrierë te Lazio (2015-2016). Emri i “bomberit” ka qenë i lidhur me një kalim të mundshëm në kampionatin amerikan të futbollit apo në ish-skuadrën e tij, Kaiserslautern, por 38-vjeçari e ka parë si zgjidhje më të pranueshme largimin e tij nga futbolli dhe marrjen e një pozicioni në kombëtaren gjermane. Klose do të ndjekë një kurs i udhëhequr nga trajneri Joachim Löw dhe drejtori teknik Hansi Flick, të dy në skuadrën kampione të botës. Kështu, ai shumë shpejt mund të marrë drejtimin e një skuadre. Njëkohësisht, ish-sulmuesi i Bayern München-it do të jetë pjesë e stafit teknik të Gjermanisë.

“Kam shijuar sukseset më të mëdha me kombëtaren. Ishte një kohë fantastike dhe e paharrueshme për mua. Ja pse jam i lumtur që rikthehem në Federatën Gjermane të Futbollit”, – tha Klose për sajtin e DFB-së. “Gjatë muajve të fundit, ideja e të qëndruarit në fushë në një pozicion tjetër, atë të trajnerit, m’u ngulit në mendje. Unë gjithmonë e kam pëlqyer zhvillimin e taktikave në futboll, përgatitjet e ndeshjeve dhe leximin e lojës gjatë kohës kur luaja vetë. U jam mirënjohës Jogit dhe Hansi Flick-ut për këtë mundësi“, – shtoi ai.

Klose e nisi karrierën e tij si profesionit te Hamburg, teksa më pas veshi fanellat e skuadrave me emër si Kaiserslautern, Werder Bremen, Bayern München dhe Lazio. Sukseset më të mëdha shtatlarti me origjinë polake i arriti në Mynih, aty ku fitoi dy herë kampionatin dhe Kupën e Gjermanisë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në sezonin 2005-2006, Klose u shpall kryegolashënuesi i Bundesligës. Gjithsej, sulmuesi i madh ka luajtur 137 ndeshje për Gjermaninë (vetëm Lothar Matthäus ka më shumë paraqitje, 150). “Ujku” ka shënuar gjithsej 71 gola me fanellën e bardhë, duke u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares gjermane. Në vitin 2014 ai fitoi Kupën e Botës, ndërsa 12 vjet më parë kishte arritur deri në finale. Klose është gjithashtu kryegolashënuesi i finaleve të Botërorit, me 16 gola në katër turne. Fat të mbarë, kampion!

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?