Kombëtarja rikthehet në fushë, Sylvinho, Shqipëria synon 3 pikët ndaj Kroacisë
Pas humbjes me Italinë, Shqipëria është rikthyer në stërvitje këtë të dielë, për ndeshjen e dytë të Europianit, atë ndaj Kroacisë, që do të mbahet me datën 19 qershor në Hamburg.
Grupi është i plotë, me trajnerin Sylvinjo që vendosi që futbollistët që luajtën mbrëmë nga minuta e parë, të përgatiten në palestër. Për rreth një orë, skuadra u fokusua në përgatitjen tekniko-taktike, çka i shërbeu teknikut kuqezi për të parë disa detaje dhe natyrisht, për të mbajtur ekipin në formë.
Me siguri, ndeshja ndaj axurrëve ka bërë që Silvinjo të marrë mesazhet e duhura për disa futbollistë dhe për mënyrën sesi do funksionojë grupi në vijim. Sa i takon formacionin anti-Kroaci, është ende herët për të folur, pasi jemi disa ditë para ndeshjes.
Shqipëria synon 3 pikët ndaj Kroacisë, për t’u futur kështu në garën e kualifikimit të madh, për të provuar, pse jo, për të kaluar grupet. Edhe për përballjen ndaj të besuarve të Dalic, në Volsparkshtadion pritet një numër i madh tifozësh të kombëtares tonë.