Kontestuan ashpër arbitrin pas skandalit të Bastonit, e pësojnë keq dy drejtuesit e Juventusit
Vendime të forta disiplinore pas tensioneve në ndeshjen mes Inter dhe Juventus. Gjykatësi sportiv i Serie A, Gerardo Mastrandrea, ka sanksionuar dy drejtues të klubit bardhezi pas incidentit në tunelin e “San Siros” gjatë pushimit të ndeshjes.
Administratori i Juventusit, Damien Comolli, është pezulluar deri më 31 mars dhe është gjobitur me 15 mijë euro. Sipas vendimit, ai ka mbajtur një qëndrim agresiv dhe seriozisht kërcënues ndaj arbitrit, duke kërkuar kontakt fizik me të.
Situata u shmang falë ndërhyrjes së trajnerit dhe personave të tjerë të pranishëm, ndërsa Comolli më pas ka përdorur edhe shprehje fyese ndaj gjyqtarit, duke e përsëritur sjelljen edhe pranë dhomës së arbitrave.
Ndëshkim ka marrë edhe drejtuesi tjetër bardhezi, Giorgio Chiellini, i cili është pezulluar deri më 27 shkurt. Sipas raportit zyrtar, ai ka kundërshtuar në mënyrë të ashpër dhe pa respekt vendimet e arbitrit Federico La Penna, duke e përsëritur sjelljen edhe jashtë dhomave të zhveshjes dhe duke drejtuar kritika fyese ndaj zyrtarëve të ndeshjes. Shkelja e fundit, sipas gjykatësit sportiv, është konstatuar nga një prej asistentëve.
Masat disiplinore lidhen me tensionet e krijuara pas kartonit të kuq të treguar ndaj Kalulu, episod që vazhdon të prodhojë polemika në futbollin italian.
KOHA JONË SONDAZH

