Kore raciste në ndeshjen Spanjë-Egjipt, Lamine Yamal reagon ashpër: “Jam mysliman”
Lamine Yamal, ylli i Barcelonës dhe i kombëtares spanjolle, shprehu zemërimin e tij të thellë pas ndeshjes miqësore Spanjë-Egjipt, e cila u zhvillua në stadiumin Cornellà të Barcelonës. Ai kishte lënë fushën me një shprehje të qartë pakënaqësie, por vendosi të mos e linte gjithçka nënkuptuar, duke postuar një mesazh të fuqishëm në rrjetet sociale. Në postimin e tij, Yamal theksoi identitetin e tij fetar: “Unë jam mysliman, lavdi Zotit! Dje në stadium u dëgjua kori ‘kush nuk kërcen është mysliman’. E di që ishte drejtuar kundër ekipit kundërshtar dhe jo specifikisht ndaj meje, por e konsideroj të patolerueshëm dhe mungesë respekti.” Ky skandal i koreve islamofobe ka nxitur menjëherë një hetim nga policia katalanase dhe FIFA.
Incidentet filluan para ndeshjes miqësore, e cila shërbente si përgatitje për Kupën e Botës verore ku do të merrnin pjesë të dyja skuadrat. Himni i kombëtares së Afrikës së Veriut u mbyt nga fishkëllimat e tifozëve spanjollë, duke krijuar një atmosferë të tensionuar. Situata u bë e patolerueshme në mes të pjesës së parë, kur nga njëra prej tribunave u dëgjua qartë kori: “Kush nuk kërcen është mysliman.” Kjo frazë e fortë dhe e qartë arriti në veshët e futbollistëve dhe të zyrtarëve të ndeshjes, duke bërë që spikeri i stadiumit të lexonte me shpejtësi një njoftim lidhur me rrezikun e pezullimit të ndeshjes në rast të përsëritjes së koreve. Yamal, në fund të ndeshjes, u largua nga fusha i zemëruar dhe pa u ndalur për të përshëndetur tifozët. Më pas, ai shfryu zemërimin e tij në rrjetet sociale, duke e përfunduar mesazhin e tij me fjalët: “E kuptoj që jo të gjithë tifozët janë si ata që kënduan koret, por atyre që i intonojnë u them se përdorimi i një feje si fyerje në fushë ju bën të dukeni injorantë dhe racistë. Futbolli është bërë për t’u argëtuar dhe për të bërë tifo, jo për të mos respektuar njerëzit për atë që janë ose për atë që besojnë. Me këtë thënë, faleminderit të gjithëve që erdhët për të na mbështetur. Shihemi në Botëror.”
Menjëherë pas ngjarjes, u hap një hetim i thelluar. Nga njëra anë, Mossos d’Esquadra, policia katalanase, po heton për krime urrejtjeje dhe po shqyrton pamjet filmike për të identifikuar përgjegjësit. Nga ana tjetër, FIFA ka nisur një procedim disiplinor kundër Federatës Spanjolle të Futbollit. Në këtë rrethanë, në rast se vërtetohet përgjegjësia e kombëtares spanjolle, ekziston rreziku i zhvillimit të një ndeshjeje me dyer të mbyllura. Ky nuk është imazhi më i mirë për Spanjën, e cila po përpiqet ende të sigurojë organizimin e finales së Kupës së Botës 2030, të cilën do ta bashkë-organizojë me Marokun dhe Portugalinë. Gazeta spanjolle AS i cilësoi këto episode si “Turp Botëror”, duke e shoqëruar lajmin me foton e ekranit të madh që shfaqte mesazhin anti-racist të lexuar nga spikeri.
Reagimet ndaj incidenteve ishin jashtëzakonisht të ashpra. Mesfushori i Barcelonës, Pedri, sipas RMC, deklaroi: “Koret raciste nuk tolerohen në asnjë mënyrë. Do të jetë e rëndësishme të punojmë së bashku që këto situata të mos përsëriten.” I bëri jehonë edhe trajneri i kombëtares, De La Fuente, i cili shprehu: “Ndjej neveri absolute ndaj çdo sjelljeje ksenofobe, raciste ose mosrespektuese. Situatë e patolerueshme.” Federata Egjiptiane e Futbollit reagoi me zemërim: “Sjellje e papërshtatshme e disa tifozëve në tribuna gjatë ndeshjes dhe mungesë respekti gjatë himnit tonë kombëtar: është e papranueshme që në stadiumet e futbollit të ndodhë një fenomen kaq negativ. Duhet të çrrënjoset.” Edhe qeveria spanjolle u shpreh në orët e fundit. Ministri i Drejtësisë, Felix Bolanos, e quajti këtë “turp për shoqërinë, dhe kush hesht është bashkëpunëtor. Sporti është respekt, solidaritet dhe bashkëjetesë. Nuk ka vend për urrejtje, racizëm dhe intolerancë në stadiume.”
Marrë nga La Gazzetta dello Sport
KOHA JONË SONDAZH
A duhet të nxjerrë PD dhe Opozita emrin e kandidatit për Kryeministër, por të mos jetë Berisha?
Results
Vota totale: 2903

