Koronavirusi tremb Seria A, asnjë ndeshje me tifozë deri për Krishtlindje
Serie A, ashtu si të gjithë kampionatet europiane, po vuan pasojat e emergjencës koronavirus. Ndërsa diskutohet për rinisjen e mundshme të sezonit, që sipas dekretit të fundit të qeverisë duhet të rinisë pas një muaji e gjysmë, janë të shumta temat për të debatuar: nga shkurtimi i pagave, tek kalendari për tu përcaktuar dhe deri tek limitimi për tifozët.
Me shumë mundësi ndeshjet e Serie A do të luhen me dyer të mbyllura të paktën deri në Krishtlindje. Rreziku koronavirus do të jetë ende i fortë pas një muaji e gjysmë, kështu për momentin duket e vështirë të ketë rihapje për publikun.
Idea e Lega A është ajo për të luajtur çdo ndeshje në stadiumin përkatës, por pa publik, si ndodhi në sfidat e fundit përpara ndërprerjes. Por është edhe hipoteza për të luajtur disa sfida në fushë neutrale: nëse në maj do të mbeten aktive disa zona të kuqe (si Lombardia) është e mundshme që ndeshjet e parashikuara në këto zona të spostohen në fusha të tjera, me dyer të mbyllura.
Kampionati duket se do të vazhdojë pa tifozë të paktën deri në përfundim të vitit diellor, me klubet që duhet të bëjnë llogaritë me mungesën e të ardhurave për shkak të biletave e abonimeve të mbetura pezull. Vetëm për 12 ndeshjet e fundit e 4 rikuperimet e sezonit në vazhdim, humbja llogaritet mes 75 e 95 milionë euro