Kosova, lidere në rajon për shpërblimin e medalistëve
Të gjithë sportistët e Kosovës, të cilët kanë arritur rezultate kulmore në disiplinat sportive, qoftë në Kampionate Europiane, Botërore apo Lojërat Olimpike, do ta kenë përkujdesjen e shtetit, konfirmojnë zyrtarë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe të Komitetit Olimpik të Kosovës.
Xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, në Lojërat Olimpike Tokio 2020, janë fituese të medaljeve të arta Olimpike. Bazuar në Ligjin për sportin, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, të dyja këto sportiste, por edhe trajnerin e tyre Driton Kuka, ka detyrim t’i shpërblejë në bazë të rregullores për shpërblimet shtetërore.
Bazuar në rregulloren për shpërblime shtetërore, përveç medaljes së artë në Kampionate Europiane, Botërore dhe Lojëra Olimpike, e cila shpërblehet me 100 mijë euro, medalja e argjendit shpërblehet me 60 mijë euro, sakaq ajo e bronzit shpërblehet me 40 mijë euro.
Shpërblimet në vendet e rajonit
Shpërblimet që japin shtete e rajonit për sportistët e tyre që marrin medalje olimpike, përgjithësisht janë më të vogla se ato të Kosovës. Shqipëria shpërblen për medalje të artë olimpike, me 82 mijë euro, të argjendit me 57 mijë euro, ndërkaq të bronzit me 41 mijë euro.
Serbia shpërblen për medalje të artë olimpike 70 mijë euro, të argjendit me 60 mijë euro dhe të bronzit me 50 mijë euro. Mali i Zi shpërblen për medaljen e artë me 35 mijë euro, të argjendit me 30 mijë euro dhe të bronzit me 25 mijë euro. Kroacia shpërblen për medaljen e artë me 27.600 euro, të argjendit 17.300 euro dhe të bronzit 12.200 euro.
Maqedonia e Veriut dhe Bosnje e Hercegovina nuk e kanë të rregulluar çështjen e shpërblimit të sportistëve që fitojnë medalje, por një vendim i tillë merret në mënyrë ad-hoc. Qeveria e Maqedonisë së Veriut, të mërkurën ka vendosur që ta shpërblejë sportistin Dejan Georgievsi me 30.000 euro, pasi ai në Tokio fitoi medaljen e argjend në sportin e tekvondosë