
Kombëtarja e Kosovës ka pësuar humbje 3-0 përballë Irlandës në ndeshjen e fundit të grupit në Ligën e Kombeve. Ky rezultat i lë Dardanët në pozitën e tretë, duke siguruar qëndrimin në Ligën B, ndërsa Irlanda përfundon e dyta dhe do të luajë në fazën e play-offit.
Momenti që ndryshoi rrjedhën e takimit erdhi në minutën e 26-të. Kreshnik Hajrizi ndali me dorë një top që po shkonte drejt portës së Kosovës, duke përsëritur një gjest të ngjashëm me atë të famshëm të Luis Suárez. Arbitri nuk hezitoi të akordonte penallti dhe ta ndëshkonte me karton të kuq mbrojtësin kosovar.
Nga pika e bardhë u tregua i saktë Troy Parrott, i cili kaloi Irlandën në epërsi. Me rezultatin 1-0 u mbyll edhe pjesa e parë.
Në fraksionin e dytë, vendasit gjetën sërish rrugën drejt golit. Këtë herë shkak u bë një ndërhyrje e portierit Arijanet Muriq ndaj Parrott, për të cilën gjyqtari akordoi një tjetër 11-metërsh. Sulmuesi irlandez mori përsipër ekzekutimin dhe nuk gaboi, duke shënuar golin e dytë personal dhe të dytin për skuadrën e tij.
Fitorja e Irlandës u vulos në minutën e 75-të, kur Jack Moylan realizoi me kokë, duke çuar shifrat në 3-0 dhe duke mbyllur përfundimisht llogaritë e takimit. Në sfidën tjetër të grupit, Izraeli dhe Austria u ndanë në barazim 1-1.
Pas përfundimit të ndeshjeve, Austria kryeson grupin me 12 pikë dhe siguron ngjitjen direkte në Ligën A. Irlanda renditet e dyta me 8 pikë dhe do të luajë në play-off, ndërsa Kosova e mbyll aventurën në vendin e tretë me 6 pikë, duke qëndruar në Ligën B. Izraeli, me vetëm 4 pikë, përfundon në vendin e fundit dhe zbret në Ligën C.
