Krasniqi ndez shpejt derbin Partizani-Tirana: Bardheblutë gëzohen edhe kur barazojnë me ne
Derbi i kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës është ndezur shpejtë. Megjithëse sfida do të luhet të dielën në mbrëmje, ngacmimet në distancë mes rivalëve të përjetshëm kanë nisur që tani.
Derbi i parë i sezonit mes Partizanit dhe Tiranës do të luhet të dielën.
Por sfida mes dy rivalëve të përjetshëm ka nisur të luhet në distancë.
Goditja e parë vjen nga mbrojtësi i Partizanit, Gëzim Krasniqi që ka sulmuar kundërshtarët me statistikat në përballjet e fundit që janë të gjitha për të kuqtë e kryeqytetit.
Gëzim Krasniqi mbrojtës i Partizanit:
“Tirana kur barazon me ne bën festë, ne kur barazojmë nuk dalim gjithë javën nga shtëpia. Ua kemi marrë dorën, përherë i kemi mundur, të paktën këto dy vitet e fundit flasin shumë qartë. Të gjitha ekipet kanë ndryshuar por ne besojmë te forca jonë”.
Përpara derbit të javës së katërt të Superligës, Partizani renditet në vendin e dytë me dy pikë më pak se kryesuesit e Skënderbeut. Por kjo diferencë nuk është shqetësuese, ashtu si problemi me golin që të kuqtë e kanë vuajtur jo pak në tre ndeshjet e para.
“Është vetëm fillimi i kampionatit. Sulmuesit tanë do ta marrin veten, do të ringrihen. Ekuban do të shënojë në vazhdimësi. Kemi edhe Azubel që do të riaftësohet dhe do të jetë gati”.
Për herë të parë derbi Partizani-Tirana do të luhet jashtë kryeqytetit, por kjo duket se nuk ndryshon asgjë. Deri në sfidën e “Elbasan Arenës” tifozët mund të shijojnë sfidë mediatike. Sulmi i parë ka ardhur, tani topi është në fushën e Tiranës.
KOHA JONË SONDAZH

