Kreu i UEFA-s, do ndjekë sfidën Shqipëri-Francë në ”Arenën Kombëtare”
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin ka konfirmuar vizitën e tij zyrtare në Tiranë për ndeshjen e fundit eliminatore të kampionatit Europian ”Euro 2020” mes Shqipërisë dhe Francës, më 17 nëntor. Kjo ndeshje do të jetë gjithashtu ndeshja inauguruese e stadiumit të kryeqytetit “Arena Kombëtare”. Veç presidentit të UEFA-s, Federata Shqiptare e Futbollit ka ka ftuar të gjithë anëtarët e qeverisë evropiane të futbollit dhe jo vetëm për të qenë të pranishëm në inaugurimin e impiantit më të madh e më modern sportiv në Shqipëri.
Kuqezinjtë për këtë ndeshje të fundit të fazës së grupeve edhe pse nuk kanë një objektiv sportiv për të pretenduar kualifikimin, do të kenë motivimin maksimal për të vazhduar paraqitjen e mirë që ka filluar me ardhjen e Edi Rejas në pankinë. Përpos kësaj, 22.000 vendet e “Arenës Kombëtare” do të jenë tërësisht të ezauruara pasi prej kohësh kërkesa për bileta është në rritje. Përveç tribunës qendrore, që në këtë ndeshje nuk do të dalë në shitje për shkak të protokolleve zyrtare për të ftuarit e FSHF-s, qeverisë, bashkëpunëtorët dhe sponsorave, pjesa tjetër e stadiumit është e gjitha në shitje për një çmim mesatar biletash prej 2.200 lekësh, apo nga më e lira që do të kushtojë 1.500 lekë deri tek më e shtrenjta që do të kushtojë 5000 lekë.
Biletat e ndeshjes inaguruese të “Arenës Kombëtare” Shqipëri-Francë do të dalin në shitje nga dita e sotme, ndërkohë që më 14 nëntor, përfaqësuesja kuqezi do të luaj në “Elbasan Arena” përballë Andorrës ndeshjen e parafundit të këtyre eliminatore të kampionatit europian “Euro 2020”. Më 3 nëntor do të jetë testi zyrtar i impiantit të ri më të madh dhe më modern sportiv në vend. Përfaqësues të UEFA-s që do të monitorojnë dhe kontrollojnë çdo sistem të këtij impianti të ri do të jenë të pranishme në Tiranë për ndeshjen mes Vllaznisë dhe Apollonisë, një takim ky i vlefshëm për kampionatin e femrave.
Në ndeshjen e 7 shtatorit, drejtuesit e Kombëtares franceze u turpëruan, pasi lojtarët e Shqipërisë refuzuan të luajnë në Paris, pasi aksidentalisht u luajt himni i Andoras dhe në vend që t’i kërkonin falje Shqipërisë, gafa vazhdoi ku organizatorët i kërkuan falje Armenisë. Shqiptarët u rreshtuan për të kënduar himnin e tyre kombëtar, në Stade de France përpara zhvillimit të ndeshjes, e vlefshme për kualifikimin në ”Euro 2020”, me kampionët botërorë, të cilët fituan 4-0.
Arkitekti i njohur italian, Marco Casamonti, i cili ka realizuar projektin e stadiumit, e cilësoi atë një vepër të jashtëzakonshme. ”Jemi shumë të gëzuar sepse rezultati, edhe nga këndvështrimi teknologjik, është i jashtëzakonshëm, një stadium me të vërtetë avantgard, me arkitekturë që stabilizon të gjithë këtë pjesë të qytetit, një ide e re urbanizimi. Stadiumi nuk është thjesht një vend futbolli por edhe një vend ku qytetarët mund të vinë për pazar, për shëtitje, ka një portik të madh”. Kryetari i komisionit të infrastrukturës në FSHF, si dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Arben Dervishi, deklaroi se po bëhen kontrollet e fundit dhe se gjithçka do të jetë gati për inaugurimin e stadiumit me ndeshjen Shqipëri-Francë më 17 nëntor.