Krizë edhe te Juventusi, drejtuesit i kërkojnë ndihmë futbollistëve
Pandemia ka ndikua shumë edhe në botën e futbollit, teksa shumë skuadra kanë pasur vështirësi të mëdha. Së fundi është folur shpesh për vështirësitë ekonomike që ka grupi Suning në likuidimin e pagave dhe detyrimeve të tjera te Interi, por edhe Juventus nuk po kalon një situatë aspak të mirë financiare. Pagat e larta të futbollistëve bardhezi kanë filluar të peshojnë shumë në një sezon anormal, ku të ardhurat nga stadiumi kanë qenë zero dhe në të njëjtën kohë shpenzimet për organizimin e stërvitjeve, transfertave dhe ndeshjeve, janë rritur ndjeshëm.
Kështu mediat italiane raportojnë se drejtuesit e klubit bardhezi u kanë kërkuar futbollistëve të pranojnë shtyrjen e 4 pagave mujore, konkretisht të periudhës mars-qershor 2021, me qëllim që të lehtësojnë sadopak bilancin e këtij sezoni.
Një lëvizje të ngjashme drejtuesit e Juventusit e bënë edhe sezonin e kaluar, megjithatë atëherë vetë futbollistët vendosën të heqin dorë fare nga një pagë e gjysmë, ose thënë ndryshe rreth 33.75 milionë euro në total. Drejtuesit e klubit duan që pagat e 4 muajve të shtyhen dhe të shpërndahen në dy sezonet e ardhshme, me qëllim që të lehtësojë bilancin me më tepër se 100 milionë euro, një shifër kjo e konsiderueshme në rrethana të tilla ekonomike.