Kryeçiklisti i Tironës Erion Veliaj i apasionuar në këtë sport: Të ndryshon jetën!
Promovimi i çiklizmit është përgëzuar sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Duke mirëpritur në zyrën e tij disa të rinj, “ambasadorë” të çiklizmit dhe të biçikletave në Tiranë, kryebashkiaku tha se pajisja e të gjithë infrastrukturës rrugore të kryeqytetit me korsitë e dedikuara të biçikletave është një prej sfidave kryesore të tij.
“Nëse rrugët kryesore të Londrës, apo të Parisit po i dedikohen biçikletave, atëherë duhet të ketë mirëkuptim që edhe një pjesë e rrugëve të Tiranës të përshtaten për biçikleta. Ne kemi disa rrugë fantastike siç është Rruga e Kavajës, Rruga e Durrësit, Bulevardi “Zogu I”, apo pjesa e Unazës, ku është krijuar tashmë rrjeti kryesor i korsive të biçikletave, por, veç infrastrukturës fizike, kërkohet tashmë edhe një infrastrukturë kulturore. Nuk është çmimi, apo pesha e mjetit të transportit ajo që na dallon si qytetarë, por është kultura ku ne e respektojmë të gjithë njëlloj, si atë që drejton automjetin e tij ashtu edhe këmbësorin, çiklistin, apo atë që përdor transportin publik,” u shpreh ndër të tjera kryebashkiaku i Tiranës.
Ai nënvizoi se studimi i fundit i GIZ-it gjerman që po asiston Bashkinë e Tiranës edhe për korsitë e biçikletave tregon që 70% e udhëtimeve me makinë në Tiranë janë për distanca më pak se 5 kilometra.
“Unë e kuptoj dikë që do të shkojë në Durrës, por të blesh bukë me makinë, apo të shkosh tek kafja e lagjes me makinë, kjo shifër 70% është e ekzagjeruar. Për çështje të shëndetit, për të qenë fit, për të shijuar ajrin e pastër, për tu siguruar që mësimet që nxorëm nga pandemia nuk i harrojmë menjëherë tani që Tirana u hap, na lipset të inkurajojmë çdo ditë këtë kulturë të re lëvizshmërisë,” tha ai, duke siguruar se, ambicia është të shkojmë në një qytet ku të ecësh me biçikletë duhet të jetë po aq e sigurt sa të ecësh në këmbë. “Objektivi është që të kemi korsi të dedikuara, por dhe të sigurta, të ndara nga pjesa e makinave, siç kemi bërë në akset kryesore të Tiranës. Tani do të fillojmë me barrierat edhe tek Rruga e Durrësit, kështu që edhe hyrja në Tiranë do jetë po aq e sigurt,” u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku veçoi dhe një tjetër element pozitiv të promovimit të çiklizmit sidomos në eksplorimin e shtigjeve të reja në periferitë e Tiranës, gjë që siç u shpreh ai i shërben edhe vetë komuniteteve të vogla lokale. “Tani që Tirana është përtej asaj Tiranës së urbanizuar dhe përfshin edhe zonat duke filluar nga Lapidari, ku janë fotot më klasike të qytetit poshtë, apo edhe vende më të largëta, siç janë Dajti, Shëngjergji, Zallbastari, Zalldajti, Baldushku që është kthyer në një superambient për çiklistët, na ndihmon jo vetëm për të promovuar kulturën e biçikletës, por edhe për të fuqizuar pak ekonominë lokale,” deklaroi Veliaj.