Kryeministri britanik, Stramer reagon për Arsenalin: Më në fund kampion, aty ku na takon!
Kryeministri britanik Keir Starmer ka gjetur pak kohë mes sfidave politike për të festuar suksesin e skuadrës së tij të zemrës, Arsenal, pas triumfit në Premier League.
Menjëherë pas konfirmimit të titullit kampion, Starmer publikoi një mesazh në rrjetin social X, ku shprehu entuziazmin e tij për rikthimin e londinezëve në majën e futbollit anglez.
“22 vite të gjata për Arsenalin. Më në fund jemi kthyer aty ku na takon. Kampionë!”, shkroi ai, duke riafirmuar lidhjen e hershme si tifoz i klubit.
Ndërkohë, festimet në kampin e Arsenalit vazhduan deri në orët e para të mëngjesit. Mesfushori Eberechi Eze publikoi fotografi dhe momente nga kremtimet në rrjetet sociale deri rreth orës pesë të mëngjesit sipas kohës lokale.
Një prej imazheve më të komentuara tregonte kapitenin Martin Ødegaard me kokën të kthyer pas dhe një shishe me logon e Arsenalit në gojë, një skenë që u interpretua si përgjigje simbolike ndaj kritikëve që e kishin etiketuar skuadrën si “bottlers”, term britanik që përdoret për ekipet që dorëzohen nën presion.
Ky perceptim ishte krijuar pas tri sezoneve radhazi në vendin e dytë dhe mungesës së trofeve madhorë që prej vitit 2020. Megjithatë, triumfi i këtij sezoni duket se ka ndryshuar narrativën rreth skuadrës së drejtuar nga Mikel Arteta. Kapiteni Ødegaard pritet të ngrejë zyrtarisht trofeun e Premier League pas ndeshjes së fundit të sezonit ndaj Crystal Palace të dielën.
KOHA JONË SONDAZH

