Kryeqyteti vishet bardheblu, Tirana fiton thellë derbin ndaj Partizanit
Derbi i parë i këtij sezoni mes Partizanit dhe Tiranës përfundoi me një fitore të pastër të bardhebluve, të cilët triumfuan 0-3 në ndeshjen e vlefshme për javën e gjashtë të Superiores.
Tirana e zhbllokoi takimin që në minutën e 19-të, kur Falaye shënoi me kokë pas një topi të gjatë nga Soler, duke shfrytëzuar edhe daljen e gabuar të portierit Alban Hoxha. Vetëm pak minuta më vonë, në të 28-ën, Patsatsia fitoi një penallti pas faullit të Markut brenda zonës dhe u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke dyfishuar shifrat për ekipin bardheblu.
Në minutën e 74-të, bardheblutë vulosën fitoren me një gol spektakolar të Tabekou, i cili finalizoi një asist të Ismajlit. Me këtë fitore, Tirana ngjitet në vendin e tetë të klasifikimit me 5 pikë, duke lënë pas Partizanin që zbret në të nëntin me 4 pikë.
Derbi i parë i sezonit shkon bindshëm në favor të bardhebluve, ndërsa ndeshjet e tjera të javës së gjashtë do të luhen nesër dhe pasnesër.
KOHA JONË SONDAZH

